10:50 / E Diele, 13 Qershor 2021 / AR

A do të jetë kandidate për kryetare të Gjakovës, flet Mimoza Kusari- Lila

Vetëm pak muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale. Disa nga partitë tanimë kanë nisur t’i zyrtarizojnë kandidatët e tyre për kryetarë të komunave. Një garë mjaft interesante si zakonisht pritet të ndodhë në komunën e Gjakovës.

Qytetarët e kësaj komune, e cila qeveriset nga AAK ende nuk është njoftuar me kandidatët që synojnë mandatin e radhës 2021-2025.

Përveç AAK-së, e cila do të rikandidoj kryetarin aktual Ardian Gjini, partitë tjera janë në fazën e diskutimeve.

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari- Lila nuk e ka pohuar as mohuar mundësinë për të qenë kandidate nga radhët e këtij subjekti për kryetare të Gjakovës.

Ajo për “Indeksonline”, ka thënë se deri më tani nuk ka vendim e as diskutim përmbajtësor për kandidaturat në përgjithësi për faktin se kanë  qenë të angazhuar me agjendën legjislative dhe pjesa tjetër me agjendën ekzekutive.

“Unë jam në shërbim publik, në fakt puna ime si deputete është përfaqësimi i interesave qytetarëve të Kosovës, e njëjta punë do të ishte edhe në komunën e Gjakovë në specifika tjera të ekzekutivit. Mbetet të shihen modalitetet e përgatitjes për procesin e zgjedhjeve lokale”, ka thënë Kusari- Lila.

“Indeksonline”, ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ata nuk janë përgjigjur në thirrjet telefonike.

Ndërsa, Nisma Socialdemokrate pritet që të kandidoj me kryetarin e degës së saj në Gjakovë, Fazli Hoxha.

Ditëve në vijim pritet që të dekretohet edhe data e zgjedhjeve lokale. Shumica e partive kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen në fund të muajit tetor./Indeksonline/