17:58 / E Mërkurë, 29 Janar 2020 / indeksADMonline

A do të kenë më takime Kurti e Mustafa?

Mbrëmë është zhvilluar takimi i fundit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur koalicion qeverisës. Në takimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, prezent ishin edhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Takimi ndonëse kishte zgjatur shumë, ishte pa epilog. Palët vazhdojnë të mos gjejnë gjuhë të përbashkët drejt ndarjes së pushtetit  derisa afati për ta formuar qeverinë po afron, raporton IndeksOnline.

Kanë mbetur edhe gjashtë ditë kur i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti duhet të paraqes kabinetin qeveritar për votim në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarët e të dyja partive po akuzojnë njëri tjetrin për mos arritje të marrëveshjes, por askush prej tyre nuk po e merr guximin që ato negociata t’i shpallë të dështuara.

IndeksOnline ka pyetur sot zyrtarët e të dyja partive për ndonjë takim të mundshëm mes liderëve Mustafa e Kurti, mirëpo deri tani nuk ka ndonjë njoftim se a do të takohen më të dy liderët.

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it dje dolën me një deklaratë të përbashkët për media ku thanë se nuk përfshihen në zgjidhjen e ngërçit politik./IndeksOnline/