75 Mall Live Search
08:21 / E Premte, 31 Tetor 2025 / Z S

A do të ketë ujdi sot mes partive? Flet Cakolli

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ftuar liderët e partive politike në një takim që do të mbahet sot, me fillim në orën 12:00.

Lidhur me takimin ka folur mbrëmë Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Cakolli u shpreh se, nga ky takim, do të ketë përpjekje, por gjasat janë që të konstatohet se nuk ka shumicë parlamentare, duke çuar në zgjedhje të reja.

“Unë besoj që takimi i nesërm do të jetë vetëm një rikonfirmim zyrtar e formal i qëndrimeve që tashmë veçse dihet, pra unë besoj takimi i nesërm në fakt mund të jetë takimi në të cilin do të vendoset që as nuk ka shumicë në kuvend dhe as nuk ka interes për ta gjetur mundësinë për ta formuar një shumicë të tillë”, tha Cakolli dhe shtoi:

“Rrjedhimisht përkundër përpjekjeve për ta paraqitur nevojën për një qeveri të unitetit për të kaluar ligje të caktuara, unë besoj që tashmë ka pafundësisht më shumë gjasa që nesër të jetë hapi i parë drejt formalizimit të shpërndarjes së kuvendit dhe caktimit të datës së re të zgjedhjeve, sesa që të kemi një qeveri e cila eventualisht mund të dakordohet në mes të forcave politike, qoftë ajo nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, apo të partive ish-opozitare.

Prandaj, realisht nuk është që kam shpresa që takimi i nesërm do të sjellë progres në kuptim të formimit të institucioneve, për shkak se palët janë të barrikaduara në qëndrimet e tyre, në anën tjetër partitë ish-opozitare tashmë ndodhen në periudha kohore ku formimi i një qeverie të drejtuar nga ta do të ishte me jetëzgjatësi tejet të shkurtër”, deklaroi Cakolli./Indeksonline/