A do të shënohet përvjetori i pavarësisë edhe këtë vit në Beograd- ambasadorit i skadon mandati

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, vitin e kaluar për herë të parë kishte shënuar përvjetorin e pavarësisë. Në tubimin e mbajtur në rezidencën e drejtuesit të kësaj zyre, Jetish Jashari, ishte festuar 15 vjetori, ku të pranishëm në festë ishin edhe drejtues të shqiptarëve nga Lugina.
Por këtë vit ende nuk është mbajtur një aktivitet i tillë dhe nuk dihet nëse do të mbahet, duke marrë parasysh edhe përfundimin e mandatit të ambasadorit, Jashari. Mandati i tij zyrtarisht ka skaduar në fillim të këtij muaji, mirëpo formalisht ai vazhdon të mbetet në detyrë.
Ndryshe selia e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është në objektin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, në Beograd.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është themeluar me Marrëveshjen e Brukselit, të arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, më 31.05.2013, në Bruksel.
Përgjegjësi parësore e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi është përcjellja e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, shikuar nga perspektiva e Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe adresimi i të gjitha problemeve që mund të paraqiten në baza ditore, përfshirë edhe me të cilat ballafaqohen shtetasit e Republikës së Kosovës me qëndrim në Serbi apo gjatë kalimit tranzit nëpër territorin e Serbisë.
Në këtë proces, Bashkimi Evropian ka rol facilitues duke ofruar asistencë bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në këtë fushë.