75 Mall Live Search
20:44 / E Enjte, 31 Janar 2019 / indeksADMonline

A do të shkojë vendi në zgjedhje të reja? Flasin analistët

 Zhvillimet e fundit politike në vend kanë bërë që koalicioni qeveritar të ketë lëkundje. Partitë që përbëjnë koalicionin këto ditë nuk po ndajnë të njëjtin mendim sa i përket disa temave me rëndësi si taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë.

Pakënaqësitë brenda koalicionit kanë shtuar zërat në publik për prishjen e tyre dhe zgjedhjet të jashtëzakonshme. Analisti politik, Shkelzen Maliqi për Indeksonline thotë se zgjedhjet janë të nevojshme pasi raporti i forcave në Kuvend është jo stabil. Mirëpo, kriza aktuale e qeverisë dhe prishja e koalicionit sipas tij nuk dërgon në automatizëm drejt zgjedhjeve.

“Një matje e re e forcave ndoshta do të sjellte raport të ri dhe qartësim se cilat forca vazhdojnë të kenë mbështetjen relevante, dhe cilat janë të fryra ose fenomene për një përdorim. Mirëpo, kriza aktuale e qeverise dhe eventualisht prishja e koalicionit qe kontrollon pushteti nuk çon me automatizëm drejt zgjedhjeve. Deri sa Kuvendi aktual ende e ka mandatin legjitim, Presidenti mund të kërkoj një mandatarë të ri të Qeverisë për të bërë një koalicion te ri. Dhe vetëm nëse ky vendim dështon, atëherë bëhen të domosdoshme zgjedhjet”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, situata që është tani ku po provohet arrija e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, nuk e lejon që të mbahen zgjedhjet, pasi konstituimi i qeverisë do të zgjaste deri në qershor.

“Por situata aktuale me planet e qarqeve vendimmarrëse ndërkombëtare që në pjesën e parë të këtij viti të provohet arritja e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë nuk e lejon që tani të mbahen zgjedhjet, sepse siç tha Kryeministri dje, nëse këto dite shpallën zgjedhjet, atëherë konstituimi i qeverisë do të zgjaste deri në qershor! Çka do të pengonte procesin e dialogut dhe të marrëveshjes! Prandaj zgjedhjet menjëherë nuk janë opsion”, ka shtuar Maliqi.

Edhe politologu Donik Sallova, mendon se mbajtja e zgjedhjeve në këtë fazë mund të sjell pasoja të paparashikuara.

Ai për Indeksonline thotë se jo domosdoshmërish rrëzimi i Haradinajt për shkak të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-të do dërgoj në zgjedhje.

“Jo domosdoshmërish rrëzimi i Haradinajt për shkak të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-të do na çojë në zgjedhje. PDK-ja duke e pasur te drejtën kushtetuese për formimin e qeverise, besoj do t’i ofrojë presidentit një shumicë të re dhe një emër të ri për kryeministër para se presidenti të shpallë zgjedhjet. Këtu bëhët fjalë për rikonfigurimin qeveritar për shkak te domosdoshmërisë së dialogut, një lloj qeverie teknike e cila do te prihej nga LDK-ja deri në përfundim të dialogut, pas te cilit do organizoheshin zgjedhjet. Alternativë tjetër nuk shoh, sepse mbajtja e zgjedhjeve në këtë fazë mund të sillte konsekuenca te paparashikuara dhe vonesa të tilla që mund të binin ndesh me apelin e letrës së Trumpit për ta kapur momentumin e marrëveshjes historike”, ka thënë Sallova.

Maliqi ka theksuar se para se të ketë zgjedhje, më parë do të këtë koalicion të ri që është pro dialogun dhe marrëveshjes me Serbinë.

“Më parë do të ketë koalicion të ri që është pro dialogut për ta shfrytëzuar momentumin e arritjes së marrëveshjes. Por ky koalicion i ri, me gjithë LDK-në në të, do të mund të jetë mjaftueshëm të gjerë nëse edhe me obligimin që zgjedhjet të mbahen pas këtij procesi, pas verës. Sa i përket Kryeministrit kokëfortë Haradinaj, ai e ka shansin edhe disa ditë që të pezulloj taksen, e nëse jo, për Kryeministër të përkohshme do të konkurrojnë Kadri Veseli, dikush i LDK-së ose kandidati i PSDK-së, ky i treti si kompromis”, ka theksuar ndër të tjerash Maliqi.

Për taksën 100%, Kryeministri Ramush Haradinaj nuk po heq dorë derisa disa nga partitë e koalicionit nuk po e përkrahin më, ku Veseli ka propozuar që Serbisë t’i pezullohet taksa në mënyrë që të ruhen marrëdhëniet e mira me SHBA-të.

Ndërsa, dje e sot, vazhdimisht ka patur takime mes liderëve, të cilet kanë biseduar për zhvillimet aktuale, përkatësisht taksën.

Kurse, Presidenti Hashim Thaçi ka thënë së duhet një vendimmarrje e përgjegjshme për të ruajtur interesin shtetëror të vendit, ruajtjen e miqësisë me SHBA-të dhe vazhdimin e dialogut./Indeksonline/