75 Mall Live Search
15:38 / E Martë, 10 Mars 2026 / Z S

A do të vazhdojnë të paguhen deputetët pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e aktiviteteve të Kuvendit?

Gjykata Kushtetuese ka vendosur mbrëmë masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja në vendimin që mori bëri të ditur se ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.

Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.

Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.

Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit u dorëzua nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë, përmes postës elektronike më 7 mars, ndërsa Gjykata e regjistroi atë më 9 mars.

E ky vendim i fundit i marrë nga Kushtetuesja për vendosjen e masës së përkohshme ndaj dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka hapur debat mbi statusin aktual të deputetëve dhe funksionimin e institucioneve deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Lidhur me këtë çështje, për Lajmi.net kanë folur tre avokatët kosovarë, të cilët kanë dhënë interpretime juridike mbi mandatin e deputetëve, funksionimin e Kuvendit dhe çështjen e pagave gjatë kësaj periudhe.

Avokati Skender Musa ka deklaruar se masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese ndalon çdo aktivitet të Kuvendit dhe gjithashtu kufizon veprimet e presidentes lidhur me zgjedhjet.

“Me caktimin e masës së Gjykatës Kushtetuese të gjitha aktivitetet e Kuvendit ndërpriten, deputetët nuk munden të marrin pjesë në komisione dhe Kuvendi nuk mban seanca. Nga ana tjetër as presidentja nuk mundet të caktojë datën e zgjedhjeve”, tha ai.

Sipas tij, vendosja e kësaj mase ka qenë e nevojshme për shkak të qëndrimeve të ndryshme mes institucioneve dhe partive politike.

“Caktimi i masës nga Gjykata Kushtetuese ka qenë i nevojshëm duke pas parasysh qëndrimet e ndryshme të presidentes, të kryeministrit dhe VV-së dhe partive politike opozitare, mirëpo masa nuk e paragjykon vendimin e gjykatës”, tha avokati Musa.

Musa theksoi gjithashtu se deputetët nuk mund të përfitojnë mëditje nga komisionet, pasi aktivitetet parlamentare janë pezulluar, por sipas tij pagat mujore mund të vazhdojnë të paguhen.

“Deputetët mëditje nga komisionet nuk munden me marrë pasi që me masë janë pezulluar aktivitetet e kuvendit ndërkaq paga mujore besoj që u paguhet sepse ende është e paqartë a do të shpërndahet kuvendi pasi që nuk kemi vendim nga kushtetuesja”, u shpreh ai.

Ndërkaq për Lajmi.net ka folur edhe avokati tjetër kosovar, Xhevdet Smakiqi, i cili ka dhënë një interpretim më të gjerë juridik për situatën.

“Mandati i deputetëve dhe Kuvendit Legjislaturës së 10 nga pikëpamja ime juridike, vështrim të zbatimit të nenit 86 par 2 dhe 86.par 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka përfunduar me Dekretin e Presidentes së Kosovës të datës Nr.24 / 2026 të datës 06.03.2026”, tha ai.

Ai shpjegoi se pas dorëzimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për rishqyrtimin e dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, gjykata ka vendosur masën e përkohshme që pezullon çdo veprim institucional deri më 31 mars.

“Meqë palët kanë dorëzuar kërkesë në GJK për rishqyrtim të Dekretit të datës 06.03.2026 të Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit/ Legjislaturës së X në kuptim të nenit 113 të Kushtetutës në këtë rast LVV-së, GJK Ex Officio dhe sipas propozimit dje me datën 09.03.2026 nxori Masën e Përkohshme ku në mënyrë kumulative pezulloi çdo veprim pasues të Kuvendit të Kosovës dhe Presidentes deri më datën 31.03.2026”, theksoi Smakiqi.

Sipas tij, efekti juridik i kësaj mase është pezullimi i aktiviteteve funksionale të Kuvendit.

“Efekti juridik i Masës së Përkohshme edhe për Kuvendin pezullon/ ngrinë çdo aktivitet efektiv funksional në kuptim të organizimit të seancave plenare, miratimit të ligjeve, ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe punën e komisioneve të Kuvendit”, tha mes tjerash avokati.

Megjithatë, ai vlerëson se masa e përkohshme nuk ndikon në pagesat mujore të deputetëve.

“Por masa e përkohshme në kuptimin administrativ nuk ka efekt juridik në ekzekutimin e pagave mujore të deputetëve gjatë periudhës së pezullimit nga masa e përkohshme.”

Smakiqi theksoi se masa e përkohshme është një mjet juridik i paraparë në ligjin për Gjykatën Kushtetuese për të ruajtur balancën e pushteteve.

“Masa e përkohshme si mjet juridik është e parashikuar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, modeli dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese është në pajtim me sistemet demokratike të vendeve me sisteme të konsoliduara ku GJK mbajnë dhe garantojnë balancën e pushteteve për të garantuar që asnjë pushtet qoftë ekzekutivi qoftë legjislativi por edhe gjykatat e rregullta të mos përfitojnë nga arbitrariteti”, u shpreh ai.

Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese ka qenë institucion kyç për ruajtjen e balancave institucionale në vend.

“Duke qenë se Republika e Kosovës që është duke u sulmuar sistematikisht nga një shumicë parlamentare nga viti 2021 e deri sot 2026 ka qenë Gjykata Kushtetuese gardianja kryesore e ruajtjes së balancave të pushteteve”.

Sipas tij, situata aktuale është rezultat i krizave të vazhdueshme politike dhe bllokadave institucionale.

“Psh: po të kishim një shumicë normale serioze të përgjegjshme fare nuk do të kishim bllokada si në vitin 2025 për konstituimin e Kuvendit ato gati 60 seancat bllokuese e 4 aktgjykime të panevojshme interpretuese”, tregoi avokati.

Ai përmendi edhe dështimin për zgjedhjen e presidentit brenda afatit kushtetues.

“Po ashtu sikur të kishim një shumicë parlamentare serioze e të përgjegjshme fare nuk do të kishim dështim të zgjedhjes së presidentit të Kosovës brenda afatit kushtetues sipas nenit 86 par 2 të Kushtetutës së Kosovës.”

Smakiqi shtoi se vendimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ishte i domosdoshëm për të shmangur bllokadat institucionale. Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të shumicës parlamentare në vitet e fundit.

“Duhet të gëzohemi që znj. Osmani nuk heshti apo nuk u bë notere e një shumice parlamentare që shkeli nenin 86 par 2 sepse deri sot do të kishim avazin bllokues të seancave shantazhuese të përsëritura si në vitin 2025. Pra degradimi apo anarkia si program i kësaj shumice parlamentare që populli e votoi në shkurt 2025 42% në dhjetor 2025 51% që vite e ka lënë Kosovën pa Kryeprokuror të Shtetit e tash u tentua ta lënë Kosovën pa President.”

Në fund, Smakiqi shprehu bindjen se Gjykata Kushtetuese do ta konfirmojë bazën juridike të dekretit të presidentes për shpërndarjen e Kuvendit.

“Prandaj ndaj bindjen e thellë që Gjykata Kushtetuese do vërtetojë bazën e fortë kushtetuese të Dekretit të Presidentes të datës 06.03.2026 sepse mbrojti rendin juridik dhe Republikën e Kosovës nga anarkia, kapja e diktatura në tentativë.”

Gjithashtu edhe avokati, Ardian Bajraktari e ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj aktiviteteve të Kuvendit.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe deputetët, në praktikë, konsiderohen sikur janë në pushim, duke theksuar se ndikimi i një vendimi të tillë është i madh për funksionimin institucional.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është caktuar masa e përkohshme, ndër të tjerash ndalon çdo aktivitet të Kuvendit të Kosovës dhe për gjatë kësaj periudhe deputetët realisht i bie që të jenë në pushim. Fakti që impakti i një vendimi të tillë është jashtëzakonisht i madh dhe me pasoja, besoj se ka qenë përcaktues për ta shtyrë Gjykatën që të vendosë një masë për një periudhë më të shkurtër dhe po shpresoj që Gjykata do ta ketë në konsideratë ndër të tjera edhe këtë aspekt dhe të vendosë brenda këtij afati që tashmë ia ka vendosur vetes. Është një praktikë e tillë, nuk është që i shkon sistemit demokratik, megjithatë vendimet e Gjykatës duhet të zbatohen e për më tepër e vlerësoj që politika është ajo që me veprime e ndal, nganjëherë edhe me mosveprimet e saj po shkakton situata të tilla”, tha Bajraktari për Lajmi.net.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të sqarojë në mënyrë definitive situatën institucionale dhe fatin e legjislaturës aktuale.

Kurse Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.

Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush.

Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit