A do të zgjidhë vendimi i Gjykatës ngërçin politik? Cakolli: Nuk ka më hapësirë për justifikime politike dhe as për sjellje bllokues

Gjykata Kushtetuese, përmes vendimit të saj të 30 shtatorit, vetëm ka bërë të ditur se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende, dhe ky proces nuk përfundon pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, thotë njohësi i të drejtës dhe gjyqësisë Kushtetuese.
Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë për Indeksonline se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një rikthim i domosdoshëm në standardin kushtetues që ka ekzistuar gjithmonë.
‘’Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një rikthim i domosdoshëm në standardin kushtetues që ka ekzistuar gjithmonë. Praktika dhe normat kushtetuese qartazi përcaktojnë se Kuvendi nuk mund të quhet i konstituar përderisa të gjithë nënkryetarët, përfshirë në rastin aktual, edhe atë nga komuniteti serb, të mos jenë zgjedhur. Kjo nuk përbën ndonjë risi juridike, por është një reafirmim i logjikës themelore të rendit kushtetues të Kosovës, logjikë kjo e cila është tentuar të anashkalohet në mënyrë selektive’’ thotë ai për Indeksonline
Ai shprehet se në vend që të menaxhohej procesi me maturi, u krijua një precedent i panevojshëm, me pretendime se konstituimi përfundon sapo zgjidhet një shumicë e brendshme në Kryesi.
‘’Konsideroj që, në vend se të menaxhohej procesi me maturi, u krijua një precedent i panevojshëm, me pretendime se konstituimi përfundon sapo zgjidhet një shumicë e brendshme në Kryesi. Ky interpretim jo vetëm që është i rrezikshëm për funksionimin e institucioneve, por e zbeh edhe natyrën gjithëpërfshirëse që Kushtetuta kërkon për Kuvendin si përfaqësues të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve’’, shpreht Cakolli për Indeksonline.
Por a do të zgjidhë ky vendim ngërçin politik?
‘’Se a do ta zgjidhë ky vendim ngërçin politik, varet nga vullneti i akterëve për ta lexuar vendimin me përgjegjësi. Gjykata i ka vendosur detyra të qarta të gjitha palëve – duke përfshirë edhe komunitetet jo-shumicë – që të kontribuojnë në përfundimin e konstituimit dhe funksionalizimin e Kuvendit. Kësisoj, unë besoj që nuk ka më hapësirë për justifikime politike dhe as për sjellje bllokuese’’ thotë tutje Cakolli.
Cakolli thotë se të gjitha procedurat që nuk kanë ndodhur sipas rregullave, të rivlerësohen në dritën e vendimit të Gjykatës.
‘’Për sa i përket hapave të mëtejshëm, është e domosdoshme që të gjitha procedurat që nuk kanë ndodhur sipas rregullave, të rivlerësohen në dritën e vendimit të Gjykatës. Këtu, përjashtim bëjnë kryetarët nga radhët e partive shqiptare, procedura e zgjedhjes së të cilëve nuk ka qenë e kontestuar fare në Gjykatë, e për rrjedhojë, trajtim kushtetues pres të ketë vetëm procedura e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve’’
Në fund Cakolli shprehet se është në interesin e të gjithëve që vendimi të bëhet publik sa më parë, edhe për të shmangur keqinterpretimet që mund të ndikojnë zhvillimet elektorale të 12 tetorit./Indeksonline/