A do t’i pranojë LDK-ja votat e PDK-së për rrëzim të Qeverisë?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, është i bindur se partia e tij bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe me partitë tjera parlamentare do ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” nëpërmjet mocionit të votëbesimit në Kuvend.
Selmanaj gjatë një interviste për “Zërin” ka thënë se kjo iniciativë e opozitës është shumë serioze, me ç’rast nuk ka përjashtuar mundësinë që për t’ia arritur qëllimit do të bashkëpunojnë me të gjithë deputetët, duke përfshirë edhe ata të PDK-së.
Selmanaj: Ajo që është e rëndësishme është që kjo qeveri do të marrë fund. LDK-ja fillimisht do t’i takojë partitë opozitare dhe më pas do të shohë se si të veprojë më tutje. Të gjitha mundësitë janë të hapura për të diskutuar edhe me deputetët individualisht, por edhe me partitë politike konkrete. Nuk është menduar nëse do të marrim ndonjë deputet te PDK-ja ose deputetë tjerë individualisht të ndonjë subjekti tjetër politik, por iniciativa jonë është serioze dhe kushdo që i bashkohet ne do ta mirëpresim. Ne jemi të bindur që Qeveri më të keqe në kontekstin e keqqeverisjes nuk ka pasur në Kosovë që nga paslufta, prandaj kushdo që na bashkohet do të jetë vlerë e shtuar për t’i dhënë shpresë këtij vendi, të cilit mund t’i ofrohet një Qeveri tjetër e cila në radhë të parë do të dinte se si t’u qasej problemeve që ka.