23:04 / E Premte, 28 Janar 2022 / SH F

A do t’u rriten pagat mësuesve me Ligjin e Pagave? Flasin nga Ministria e Arsimit

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci u shpreh se aprovimi i Ligjit për Paga nuk do të thotë rritje e pagave.

Pupovci deklaroi se për tu rritur paga, duhet të rritet vlera e koeficientit dhe kjo siç tha ai, rritet me rritje ekonomike.

“Është thënë se diku deri nga marsi do te kemi një draft të ligjit ,dhe me pas do të del në diskutim. Për këtë duhet të kemi edhe durim. Në këtë ligji duhet të punohet mirë, dhe të shikohen koeficientit e punëtorëve. Llogaritja e pagës bëhet në bazë të koeficientet që ka punëtori”

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para një jave, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars.

“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese. Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, ka thënë Sveçla.

Ndryshe, në vitin 2021, Qeveria Kurti është gjendur nën trysninë e sindikalistëve për ta proceduar sa më parë në Kuvend Ligjin e Pagave.