11:24 / E Enjte, 10 Qershor 2021 / OSH

A duhet të mbahet mbrëmja e maturës? – Flasin nga Këshilli i Prindërve dhe Asociacioni i Komunave

Mbajtja e mbrëmjes së maturës ende është në pikëpyetje.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në një fjalim në Kuvendin e Kosovës tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga Asociacioni i Komunave për mbajtjen e maturave.

Ajo tha se vendimi i qeverisë e ndalon, derisa tha se ky vendim është marr për mirëqenien e nxënësve.

“Provimi i maturës do të mbahet vetëm për një ditë dhe vendimet e mija nuk do të jenë të pa bazuara nuk kam pranuar asnjë kërkesë nga Asociacioni i Komunave, vendimi i qeverisë ndalon ekskursionet dhe maturën dhe kjo për ruajtjen e shëndetit të nxënësve”, ka thënë Nagavci.

Në lidhje me këtë temë, Indeksonline mori në prononcim Drejtorin Ekzekutiv të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ai u shprehë se nëse lejohen dasmat, atëherë duhet të lejohet edhe mbajtja e mbrëmjes së maturës.

“Nëse lejohen dasmat, atëherë nuk ka arsye që ne të dërgojmë kërkesë për mbajtjen e mbrëmjes së maturës pasi që ne besojmë që kjo hynë në kategorinë e ahengjeve”, u shprehë ai.

Këtë mendim e ka edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Kryetari i KPK-së, Ymret Reshiti u shprehë se është kundër ekskursioneve.

“Ne si Këshilli i Prindërve të Kosovës mendojmë se duhet të mbahen mbrëmjet e maturës konform udhëzimeve të IKSHPK-së. Nuk ka vend për shqetësime, derisa po lejohen dasmat dhe gastronomia në përgjithësi. Mbrëmjet e maturës janë data të veçanta për nxënësit për t’i festuar. Ne si KPK jemi kundër organizimit të ekskursioneve të maturantëve dhe semi-maturantëve”, u shprehë Reshiti.

Vitin e kaluar nuk është mbajtur mbrëmja e maturës për shkak të masave kundër Covid 19./Indeksonline/