75 Mall Live Search
16:12 / E Hënë, 10 Prill 2023 / AR

A e fitoi vërtet Ardit Çuni orën prej 250 mijë eurosh? Këngëtari zbulon ku gjendet ora super luksoze

Ardit Çuni u bë viral jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë duke u bërë pjesë e sfidës së bilionerit të famshëm të Anglisë.

Artisti shqiptar kishte fat të madh teksa po shetiste rrugët e Londrës ku arriti që të fitojë sfidën dhe të fitojë një orë prej 250 mijë eurosh.

Pas përhapjes së videos padyshim u shtrua pyetja: A e mori me të vërtetë Arditi orën luksoze?

Këngëtari në një intervistë për revistën “Bordo” ka sqaruar se fati ishte me të këtë radhë dhe ai e ka fituar orën, por 10 vitet e ardhshme do të jetë e mbyllur në një kasafortë në një nga bankat më të sigurta në Angli, ndaj fansat nuk mund ta shohin nga afër kur takojnë këngëtarin.

“Fati donte të ishte me mua në një vizitë timen në Londër, ku rastësisht u takova me bilionerin e famshëm të Anglisë dhe fitova një nga sfidat e përgatitura prej tij.

Pjesa tjetër tashmë është histori – Unë nuk jam as përdorues orësh dhe as fans i tyre (qesh). Me thënë të drejtën më qeshej sepse nuk ja dija rëndësinë…, por e mora vesh më vonë nga portalet kur filluan të më sillnin oferta për ta blerë…! Për të gjithë ju që më pyesni nëpër aeroporte apo evente ku është ora, rrini të qetë sepse për 10 vitet e ardhshme do të jetë e mbyllur në një kasafortë në një nga bankat më të sigurta në Angli”, shprehet Arditi.