22:50 / E Martë, 27 Qershor 2023 / MSH

A e forcon lidhjen shprehja e dashurisë në rrjetet sociale?

Sado të pakëndshme të jenë postimet e çifteve dhe deklaratat e tyre të dashurisë në rrjetet sociale, studiuesit kanë arritur në një përfundim befasues. Peshorja anon nga dashuria…

Shkenca na ka dhuruar studime të reja mbi mënyrën sesi rrjetet sociale ndikojnë në jetën e çifteve.

Në një studim të ri të publikuar së fundmi, studiueset Catalina Toma dhe Mina Choi kanë hetuar për lidhjen midis shfaqjes së afeksionit publik në Facebook dhe gjendjen e fatit të marrëdhënieve.

Në këtë aspekt, ato analizuan se sa të angazhuar janë partnerët në këto lidhje dhe sa gjasa ka që marrëdhënia të zgjasë. A janë çiftet që postojnë vazhdimisht foto bashkë më të qëndrueshëm se të tjerët?

Shumë njerëz i mendojnë shfaqjet e afeksionit në Facebook si irrituese dhe mund të besojnë madje se çiftet që e përdorin këtë metodë, janë të pasigurt në vetvete. Megjithatë, çiftet mund të kenë një eksperiencë të ndryshme psikologjike nga sa mund të mendojnë të tjerët.

Kërkime të mëparshme kanë treguar se megjithëse njerëzit pretendojnë të jenë ekstrovertë ose emocionalisht të qëndrueshëm përpara një audience, ata thellë brenda vetes fillojnë të mendojnë se janë vërtet të tillë. Ky ndryshim i konceptimit të vetes nuk ndodh te njerëzit që nuk gjenden përballë një audience.

Duke ndjekur këtë logjikë, kërkueset parashikuan se sa më shumë çiftet të shfaqen të bashkuar në Facebook, aq më shumë do ta perceptojnë marrëdhënien si të rëndësishme për ta.

Facebook është një vend shumë publik, që furnizon audiencën më të madhe që njerëzit normalë kanë pasur ndonjëherë. Ai/ajo që ne mendojmë se gjendet përpara kësaj audience, ndikon shumë në mënyrën se si e perceptojmë veten.

Në kontekstin e çifteve, kërkueset parashikuan se ata që shfaqin më tepër afeksionin e tyre në Facebook, përjetojnë një angazhim më të madh kundrejt partnerit dhe kanë më pak gjasa të ndahen pas gjashtë muajsh.