A e pranon Simeone dënimin e Diego Costës? Përgjigjet trajneri
Trajneri i Atletico Madridit ka mbetur i zhgënjyer me vendimin e Federatës së Futbollit të Spanjës, për dënimin e rëndë që i kanë dhënë Diego Costas.
Diego Simeone e ka konsideruar të ekzagjeruar vendimin për ta dënuar me tetë ndeshje sulmuesin Diego Costa për kartonin e kuq që mori në sfidën ndaj Barcelonës fundjavën e kaluar.
Costa u dënua me tetë ndeshje për shkak se përdori fjalë fyese ndaj gjyqtarit kryesor por në të njëjtën kohë e preku edhe me duar, dhe me dënimin që ka marrë nga Disiplina ka mbyllur përpara kohe këtë sezon.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së radhës ndaj Celta Vigos në kampionat, Simeone nënvizoi se Atletico do ta apelojë dënimin e Costës.
“Më duket një vendim dënim i ekzagjeruar dhe klubi do ta apelojë. Sezoni i Diego Costës nuk ka qenë shumë pozitiv për shkak të lëndimeve të shumta por edhe operacionit që kreu”, deklaroi Simeone.
“I kemi kërkuar të luajë edhe pse ndjente shumë dhimbje, deri në dhjetor pasi kishim nevojë për të”. “Ka bërë një sakrificë të jashtëzakonshme për të luajtur në Ligën e Kampionëve, tashmë shpresojmë që të bëjë një fazë përgatitore shumë të mirë për të qenë në formë të shkëlqyer sezonin e ardhshëm”, deklaroi trajneri i Atleticos.