A është Kabineti i Qeverisë Kurti në listë të zezë për viza amerikane? Flasin nga Qeveria

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka thënë në një intervistë për Reporterin se Kabineti i Qeverisë Kurti ishte në listë të zezë sa i përket vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ia kujton se pjesë e Kabinetit të Qeverisë Kurti janë edhe ministrat nga LDK-ja, ku tregon që nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Kryeziu përmes një shkrimi në Facebook tha se Kabineti i Qeverisë Kurti, pjesë e së cilit, i kujtojmë z. Hazirit se janë edhe ministrat nga LDK-ja, nuk ka kufizime të tilla. “Ministrat e kabinetit dhe Kryeministri Kurti nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për më tepër Kryeministri Kurti veçse ka vizë amerikane valide”, thotë ai, shkruan Indeksonline.
Më tutje shtoi se është për t’u habitur mungesa e informacioneve me të cilat zyrtarë të lartë politik dhe institucional veprojnë, aq sa edhe nga papërgjegësia e tyre për të shpërndarë në opinion publik deklarata dezinformuese.
Shkrimi i plotë:
DEMANTIM I DEKLARATËS SË Z. LUTFI HAZIRIT
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherit Kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Lufti Haziri, mbrëmë në një intervistë ka deklaruar se Kabineti i Qeverisë Kurti është në listë të zezë sa i përket pajisjes me viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Sipas tij, “gjithë kabineti ka qenë, është nën kufizime” dhe ministrat e kabinetit janë në “listë të zezë, që nuk marrin viza, nuk mund të marrin viza udhëtimi për në Amerikë.”
KJO DEKLARATË E TIJ NUK QËNDRON.
Kabineti i Qeverisë Kurti, pjesë e së cilit, i kujtojmë z. Hazirit se janë edhe ministrat nga LDK-ja, nuk ka kufizime të tilla. Ministrat e kabinetit dhe Kryeministri Kurti nuk janë pjesë e asnjë liste të zezë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, për më tepër Kryeministri Kurti veçse ka vizë amerikane valide.
Është për t’u habitur mungesa e informacioneve me të cilat zyrtarë të lartë politik dhe institucional veprojnë, aq sa edhe nga papërgjegësia e tyre për të shpërndarë në opinion publik deklarata dezinformuese.