75 Mall Live Search
12:02 / E Premte, 13 Shtator 2019 / indeksADMonline

A i privon nga e drejta e votimit pjesëtarët e pakicave, udhëzimi i KQZ-së?

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pritet të shqyrtojë ankesën e Listës Serbe në lidhje me një udhëzim të lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas të cilit, votim i vlefshëm në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit, konsiderohet vetëm ai që realizohet përmes dokumenteve identifikuese të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë, sidomos ata të Listës Serbe, jo vetëm që nuk e kanë mirëpritur, por edhe e kanë kundërshtuar këtë udhëzim, pasi që në zgjedhjet e kaluara është dëshmuar që një numër i konsiderueshëm i serbëve të Kosovës, sidomos ata që jetojnë në katër komunat veriore, posedojnë dokumente identifikuese, letërnjoftime, të Serbisë.

Lista Serbe, subjekt ky politik që në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale ka fituar bindshëm në raport me partitë rivale nga komuniteti serb, e konsideron udhëzimin e KQZ-së si të paligjshëm.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ka thënë agjencisë serbe Tanjug se “KQZ vazhdon ta fuqizojë zbatimin e këtij udhëzimi të paligjshëm, edhe pse paneli zgjedhor nuk ka marrë një vendim përfundimtar”.

Edhe një përfaqësues i komunitetit malazez në Kosovë, Sllobodan Vujiçiq, kryetar i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës përmes një reagimi e ka kundërshtuar udhëzimin e KQZ-së.

“T’ua marrësh të drejtën e votës qytetarëve të cilët gjenden në listën zgjedhore, është shkelja më e ashpër e të drejtave të njeriut dhe pikërisht të Ligjit mbi zgjedhjet në Kosovë. Me këtë akt diskriminues janë goditur 20.000 malazias të cilët jetojnë në veri të Kosovës dhe të cilët janë të zhvendosur”, thuhet në reagimin e tij.

Të enjten, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për miratimin e Udhëzimit për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe Këshillat e Vendvotimit lidhur me dokumentet për identifikimin e votuesve në vendvotim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 6 tetor 2019.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha për Radion Evropa e Lirë se KQZ ka nxjerrë këtë udhëzim përmes së cilit i udhëzon komisionet komunale të zgjedhjeve dhe këshillat e vendvotimeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës se cilat janë dokumentet e vlefshme për identifikimin e votuesve në vendvotim, në ditën e zgjedhjeve me 6 tetor.

“Pra, dokument i vlefshëm është dokumenti i cili është i nënshkruar nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Qëllimi i këtij udhëzimi është heqja e çdo dileme për këtë çështje për shkak të paqartësive që janë shfaqur në proceset e kaluara zgjedhore si dhe tregon kujdesin e Komisionit Qendror Zgjedhor për sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor”, Valmir Elezi.

Sipas këtij udhëzimi, dokument i vlefshëm i votimit konsiderohen të gjitha dokumentet e Republikës së Kosovës, siç i parasheh neni 90 i Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se ankesa e Listës Serbe pritet të shqyrtohet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa para se të jetë i plotfuqishëm.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për datën 6 tetor, pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës në korrik të këtij viti.

Dorëheqja e tij kishte pasuar ftesën nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku Haradinaj ishte ftuar për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Më pas, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet joserbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar 25 subjekte politike të cilat hyjnë në garën zgjedhore për të siguruar ulëse në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Sipas listës preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit është 1.972.466.