08:04 / E Enjte, 01 Mars 2018 / indeksADMonline

A ka Kosova kapacitete të mbrohet nga fatkeqësitë natyrore?

Sot është Dita Botërore e Mbrojtjes civile. Kjo Ditë fillon shumë më herët në luftërat e Anglisë e Francës e që ka pas qëllim të mbrojë popullatën, por tani ka qëllim të mbroj popullin nga fatkeqësitë natyrore. Kjo ditë është zyrtarizuar në vitet 90’ta.

Hajriz Sejdiu, drejtor i Departamentit të Gatishmërisë në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, tha se në Kosovë ka munguar, por pas luftës në vitin 2003 nga UNMIK-ut është krijuar kjo agjenci. “Sot në vitin 2018 Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, do të jetë e gatshme që në çdo kohë të i dalë qytetarëve në ndihmë, nëse do të ketë ndonjë fatkeqësi”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”, në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sejdiu bëri me dije se kanë pasur teste e ushtrimesh për të demonstruar se Kosova ka kapacitete të mbrojtjes së qytetarëve nga fatkeqësitë natyrore.

“Tani kemi platformë për zvogëlimin e rreziqeve, në fushën e gatishmërisë kemi hartuar planin e reagimit kombëtar, kemi trajnimet, zjarrfikësit, shërbimet mjekësore, etj”, tha ai.

Sipas tij ka rreziqe të paparashikueshme, për shkak të ndryshimeve klimatike. “Kosova ka rreziqe të ndryshme si janë zjarret, tërmetet, edhe në kohët e fundit janë stuhitë e ndryshme, që kanë ardhur për shkak të ndryshimeve klimatike”, deklaroi ai.