75 Mall Live Search
09:45 / E Premte, 10 Shtator 2021 / OSH

A ka mandat presidentja Osmani të shtyej zgjedhjet në Kosovë? Krasniqi flet për rastin e vitit 2019 në Shqipëri

Albert Krasniqi nga KDI të premten ka treguar se a ka mandat presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të shtyej zgjedhjet lokale në Kosovë, që janë planifikuar të mbahen më 17 tetor, shkruan IndeksOnline.

Ai mori shembull rastin e Opinionit të Komisionit të Venecias për rastin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri në vitin 2019 nga Presidenti Ilir Meta.

Krasniqi në Facebook shkroi se presidenti Meta kishte shtyrë zgjedhjet nga data 30 qershor në datën 13 tetor, gjë që Komisioni i Venecias e ka vlerësuar si tejkalim i kompetencave të tij kushtetuese.

Postimi i plotë:

Se a ka mandat Presidenti për të shtyrë apo anuluar zgjedhjet, më së miri është t’i referohemi Opinionit të Komisionit të Venecias për rastin e shtyrjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri në vitin 2019 nga Presidenti Ilir Meta.

Presidenti Meta, pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve për 30 qershor, ka anuluar këtë dekret dhe pa konsultim me të gjitha partitë politike ka caktuar një datë të re për 13 tetor. Këtë vendim Meta e kishte arsyetuar me rrezikun e përshkallëzimi të dhunës në vend. KQZ e ka cilësuar vendimin e Presidentit si “akt administrativ të pavlefshëm” dhe ka organizuar zgjedhjet sipas dekretit të parë më 30 qershor. Opozita ka bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se shtyrja e zgjedhje të shpallura nga Presidenti, është tejkalim i kompetencave të tij kushtetuese.

Në raport është argumentuar se:

– Presidenti, edhe pse e ka të drejtën e shpalljes së datës së zgjedhjeve – kur kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut – nuk e ka edhe të drejtën e anulimit. Shtyrja apo anulimi i zgjedhjeve afekton drejtpërdrejtë të drejtën e votës, që është e drejtë e njeriut e njohur sipas instrumenteve ndërkombëtare;

– Pasi të jetë caktuar data e zgjedhjeve, akterët politikë duhet të jenë në gjendje t’i besojnë këtij vendimi, dhe një ndryshim i një vendimi të tillë ka nevojë për një konsensus të gjerë (dhe një bazë të përshtatshme ligjore). Shtyrja e zgjedhjeve, pas mandatit elektoral rezulton në humbje të legjitimitetit të institucioneve të zgjedhura;

– Edhe nëse Presidenti ka një qëllim legjitim të caktojë një datë të re të zgjedhjeve apo të anulojë ato, nuk mund ta bëjë këtë nëse një kompetencë e tillë nuk është e paraparë në Kushtetutë apo Kodin Zgjedhor.

Zgjedhjet e shpallura mund të shtyhen apo anulohen vetëm në këto dy rrethana:

i) Nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme;

ii) Nëse bazohet në një konsensus të akterëve kryesorë, që lejon miratimin e një baze të përshtatshme ligjore për krijimin e një kompetence ad hoc për të shtyrë zgjedhjet.

Konstatimet e Komisionit të Venecias vlejnë edhe për rrethanat në Kosovë, pasi kompetenca e Presidentit në të dy vendet është e kufizuar vetëm në shpalljen e zgjedhjeve, dhe jo shtyrjen apo anulimin e tyre.