75 Mall Live Search
11:33 / E Hënë, 12 Prill 2021 / OSH

A ka nisur procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kosovës? Flasin nga SBASHK-u

Nxënësit e ciklit të ulët, ata nga klasat e para deri në të pesta i janë kthyer pas një jave pushimi pranverorë, bankave shkollore. Kjo pas vendimit të Ministrisë së Arsimit që këto klasë të vijojnë fizikisht mësimin ndërsa ato nga klasa e gjashtë e shkollat e mesme do të mbajnë mësimin online, shkruan IndeksOnline.

Se a ka nisur ky proces mësimor siç duhet dhe pa ndonjë telashe, është përgjigjur kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari.

Ai ka thënë për IndeksOnline se procesi mësimor ka nisur ashtu siç ishte planifikuar dhe se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë telefonat se ka pasur ndonjë vështirësi apo problematik në këtë drejtim.

“Aq sa kemi informacioni gjithçka po ecën siç duhet deri më tani dhe nuk kemi pranuar ndonjë telefonat që ka pasur ndonjë vështirësi. Çerdhet ashtu kështu kanë funksionuar edhe këtyre ditëve dhe besoj që edhe në shkollat e Kosovës, ka rifilluar mësimi sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për klasat 1-5. Këto po e them sepse nuk kemi ndonjë vërejtje apo ndonjë telefonat nga kolegët tanë nëpër shkollat e Kosovës”, tha Jashari për IndeksOnline.

Ai ka theksuar se ndonëse klasat e këtij cikli zakonisht mbajnë mësim pasdite, nuk presin të ketë ndonjë problem në vijimin e mësimit.

Jashari tutje ka qenë optimist që edhe mësimdhënësit kosovar do të marrin vaksinat kundër Covid-19, kjo pas premtimit të marrë nga ministri i Shëndetësisë, se kjo kategori do të merret në konsideratë në momentin që Kosova të pranoj kontingjenti e ardhshme të vaksinave nga Covax.

“Ministri Vitia na ka premtuar se me ardhjen e kontingjentit të ri dhe pasi të kryhet procesi i vaksinimit të të moshuarve do ta ketë në konsideratë kërkesën tonë dhe varësisht nga sasia e vaksinave që pranon shteti ynë dhe i konsideron të pranueshme na është premtuar që do të bëhet angazhim shtesë që punëtorët e arsimit të vaksinohen, ashtu siç kemi thënë  ne jo për të qenë të privilegjuar, por  që të jenë sa më të mbrojtur që të  krijohen parakushte për procesin mësimor, kjo është dëshirë edhe e prindërve dhe e jona dhe jemi në pritje”, nënvizoj Jashari.

Ndryshe edhe mësimdhënësit janë konsideruar deri më tani si njëra nga kategoritë më të rrezikuara nga virusi Covid-19./IndeksOnline/