A pati ‘gisht’ politika në zgjedhjen e Naim Qelajt si Avokat i Popullit?

Avokat për vite të tëra, Koordinator nacional kundër Dhunës në Familje e zëvendësministër i Drejtësisë.
Janë këto pozitat që ka ushtruar më parë i sapo emëruari në krye të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, e siç tha, janë pozita që i kanë hapur rrugën drejtë këtij qëllimi që tanimë e ka realizuar.
Avokati i ri i Popullit në një intervistë për IndeksOnline , ka rrëfyer rrugëtimin e tij, deri në këtë pozitë, ambiciet dhe cilat do të jenë prioritetet gjatë mandatit 5 vjeçar.
I ardhur nga politika, ai i pyetur nga IndeksOnline se nëse pozita e tij prej zëvendësministri të Drejtësisë nga radhët e AAK-së, të ketë ndikuar që ai të marrë këtë pozitë, e mohoj këtë. Ai ka theksuar se me meritokraci ka arritur që të marrë besimin nga ana e 69 deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët e votuan me 28 shtator.
Ai ka arsyetuar përfshirjen e tij në politik si mënyrën e vetme për të dhënë kontributin e tij për shoqërinë.

“Nuk besoj që ka pasur përfshirje më të madhe të votës më shumë se në procesin e votimit tim si Avokat i Popullit gjë që më bën të ndihem shumë komod dhe mirë me të kaluarën time.
Por nuk mundem me mohu që në të kaluarën kam pasur aktivitete politike por këto aktivitete i kam bërë kryesisht në mungesë të hapësira që kontributin tim me dhanë në forma të tjera. Vetëm duke qenë pjesë e politikës unë kam arritur të marrë një mandat të koordinatorit nacional dhe të zëvendësministrit të Drejtësisë ku kam arritur të shoh një vullnet të jashtëzakonshëm të zyrtarëve brenda institucioneve të shtetit për me i trajtuar temat që deri në atë kohë nuk ishin trajtuar në nivelin e atyre që i kemi trajtuar ne.
Dua të them që kam arritur të përfitoj simpatinë në radhë të parë të simpatinë të shoqërisë civile e pastaj edhe zyrtarëve të administratës e që po besoj pastaj ka ndikuar drejtpërdrejtë në votimin e deputetëve”, tha Qelaj për IndeksOnline.

Ai ka theksuar se fati i tij i mirë është se e ka votuar deputetët nga të gjitha partitë politike dhe se kjo e bënë të ketë legjitimitet më të fortë zgjedhja e tij e po ashtu e ngarkon me përgjegjësi më të madhe.
“Fati im i mirë ka qenë që mua më kanë votuar të gjithë, të gjitha partitë politike, por secila parti politike me një numër të caktuar, kjo më jep një mandat më të plotë, një legjitimitet më të fortë. Në anën tjetër më ngarkon më tepër me përgjegjësi, që unë me vepru në përputhje me mandatin që kam, duke qëndruar tërësisht ndikimeve çfarëdo qofshin”, theksoi Qelaj.
Qelaj që për dy vite me radhë ka mbajtur pozitën e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, theksoi se do të vazhdoj të avokoj në këtë çështje duke shtuar se tërë karriera e tij profesionalet lidhet me pabarazinë e që ajo kryesisht shprehet tek gjinia.
Avokati i Popullit duke qenë i familjarizuar me dhunën në familje dhe me format e trajtimin e saj nga institucionet tha se do të vazhdoj të jetë një luftëtar i të drejtave të grave e të cilat vazhdojnë të jenë viktima brenda mureve të shtëpisë.
“Pa barazi në mes të gruas dhe burrit nuk ka as demokraci të mirëfilltë. Nuk ka as shtet ligjor të mirëfilltë.
Në kohën sa kam qenë koordinator nacional e kam parë që roli i Avokatit të Popullit është kryesisht në promovimin e të drejtave të njeriut, në këto raste, sepse me konventat ndërkombëtare dhe me praktiken juridike, dhuna në familje paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Padyshim se unë si Avokat i Popullit në një periudhë jo shumë të gjatë, brenda 2-3 muajsh do të provoj të dal me një strategji timen se si mendoj ta qoj përpara Avokatin e Popullit, kjo në koordinim me stafin që e vlerësojë shumë për profesionalizimin.

Në anën tjetër duhet të punohet me ata që ushtrojnë dhunë, me pasojat dhe dëmin që i shkaktojnë edhe vetës edhe shoqërisë, duke i ashpërsuar edhe dënimet ndaj tyre por edhe në anën tjetër duke i trajtuar edhe viktimat në anën institucionale”, tha Qelaj.
Ndonëse dhuna në familje në shoqërinë kosovare vazhdon të jetë shumë prezente, sipas Qelajt institucionit tani më shumë po merren me këtë problematik se sa në të kaluarën e që është marrë pak duke e margjinalizuar dhe se kjo sipas tij ka qenë faktor që ky fenomen është zhvilluar.
Sa i përket grupeve të ndjeshme dhe që shpeshherë janë të margjinalizuara, siç janë komuniteti LGBTI, ato të komuniteteve pakicë, egjiptian, romë e ashkalinj, Qelaj ka thënë se Kosova ka ligje mjaftë të avancuara në këtë drejtim. Mirëpo ajo që duhet të bëhet sipas tij është që të bëhet promovim më i madh i tyre.
“Më shumë lidhet me mendësinë se sa nga perspektiva, mendoj që ligjet i kemi të avancuara sa i përket këtyre grupeve por ndoshta shpeshherë institucionet kanë mbetur mbrapa promovimit të tyre dhe është shqetësuese nëse këto komunitete janë ndjerë të diskriminuara nga vet institucionet. Besoj që në të ardhmen do ta trajtoj ekskluzivisht këtë temë sepse e kam parë edhe interesimin e komunitetit ndërkombëtar për këtë çështje. Duhet të bëhet shumë më tepër”, nënvizoj Qelaj.
I pari i institucionit që është i thirrur për të promovuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës, tashmë vetës i ka vënë vetës përpara disa detyra.
Gjyqësor efikas dhe mirëqeverisja lokale do të jenë top prioritetet e tij në mandatin 5 vjeçar
“Segmenti i gjyqësorit në Kosovës paraqet problem të madh në shkeljen e të drejtave të njeriut. Sepse zvarritja e lëndëve si dhe puna që kam bërë më ka sjell mua si qytetarë shumë telashe dhe qytetarëve që ju ka cenuar kjo e drejtë, ka qenë ndoshta aspekti më kritik i marrjes së drejtësisë në dorë nga qytetarit. Sepse zvarritja e një lënde për 10 vite e humb besimin në drejtësi, e humb besimin në gjykatë dhe qytetari provon që me forma të tjera si me vetëgjyqësi të sjell në vend të drejtën e vet. E di që është vështirë mirëpo në këtë segment do të mundohem me marrë hapa konkret me përmirësu këtë gjendje sepse lidhet me segmentet të të drejtave të njërit, të konventës së të drejtave të njeriut e cila përcakton që çdo individ ka të drejtë me pas një gjykim të drejtë të paanshëm dhe në një afat të arsyeshëm. Segmenti i gjyqësorit nuk duhet me pas gjithmonë justifikime në mungesë të stafit, sepse kjo e humb vet kuptimin që e ka vendosja e drejtësisë për këtë rast. Do të bëj shumë dhe qasja e mirëqeverisjes nga pushteti lokal është një segment që nuk është trajtuar sa duhet sepse qytetari si të themi adresën e parë, takimin e parë e ka komunën. Andaj edhe kjo do të jenë në fokusin tim”, përfundoj Qelaj./IndeksOnline/

