11:50 / E Enjte, 06 Tetor 2022 / AR

A planifikon Qeveria subvencionimin për izolimin e shtëpive, flet ministrja

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se këtë vit nuk planifikohet të nisë subvencionimi i masës për izolimin e shtëpive, si masë efeciente e energjisë.

Në një konferencë për shtyp të hënën, ajo ka thënë se ka marrë rekomandime nga ekspertët që kjo masë të mos fillojë së zbatuari këtë vit, ndonëse është konsideruar nga ana e qeverisë.

“Izolimi i shtëpive është diçka që është konsideruar. Kur flasim për efiçencë, siç kemi folur prej fillimit të mandatit, kemi folur për kompontenta të ndryshme siç është edhe izolimi i shtëpive. Tani po fillojmë me subvencionimin e pajisjeve për ngrohje duke qenë se është një skemë më lehtë e realizueshme nga ana administrative”, ka thënë ministrja.

“Konkeksti për të cilin po flasim, duhet pasur parasysh se skemat për subvencionimin e izolimit, ne si institucione kemi pak relativisht pak përvojë. Megjithatë, fatkeqësisht ato e kanë pasur një histori të keqpërdorimit ose mosfunksionimit të rregullt”, ka deklaruar ajo.