75 Mall Live Search
18:11 / E Mërkurë, 24 Gusht 2022 / AR

A po i ndihmon Qeveria vetëm komunat e VV-së, flet ministri Krasniqi

Qeveria e Kosovës, më saktësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, u kritikua nga LDK e PDK se ka ndarë projekte vetëm për katër komunat që qeverisen nga VV.

Lidhur me këtë, në emisionin “Frontal” të T7 ka folur ministri i kësaj ministrie.

“Kjo tregon që kemi filluar të dalim në radarin e kritikave. Është e paqëndrueshme ajo që po thuhet se i kemi financuar vetëm komunat e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, dje në një postim në Facebook se nga 7 komuna që kanë fituar projekte nga Ministria e Pushtetit lokal, 4 janë nga VV.

“Nga 7 komuna që kanë fituar projekte nga Ministria e Pushtetit Lokal, 4 janë nga VV. Në nivel nacional, VV qeveris në 4 komuna prej 38 sa janë. Por të gjitha kanë arritur të fitojnë projekte nga Qeveria. Çfarë fati!”, ka shkruar Hoti.

Ndërsa, anëtari i PDK-së, Betim Gjoshi, dje në një postim në Facebook ka thënë se asnjë nga tetë komunat që qeverisen nga PDK nuk janë pjesë e këtij vendimi.

“Ky është një vendim që tregon se Albin Kurti është një përçarës i shoqërisë tonë. Atë që e bënte deri dje me akuza, shpifje e protesta, sot po e bënë me vendime qeveritare”, ka shkruar ai.