75 Mall Live Search
10:56 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2023 / S Z

A po kërkojnë trajtim në QKUK pacientët serb, Gorani: Filluan të vinin nga zori, por nuk hezitojnë më

Shërbimi i Kardiologjisë në QKUK këtë vit, ka arritur rekord sa i përket ofrimit të shërbimeve për pacientët.

Doktor Daut Gorani shef i shërbimit të Kardiologjisë Invazive, thotë se puna që është bërë në këtë klinikë gjatë këtij viti, ka dal përtej pritshmërive.

“Sivjet kemi realizuar diku 4052 deri në ditën e sotme procedura diagnostike ndërsa 2205 procedura intervente që shënon një numër të madh. Në krahasim me vitin  e kaluar,  janë 500  procedura më shumë intervente, ndërsa 1300 procedura diagnostike më shumë se vjet. Numër jashtëzakonisht i madh. Nuk kemi pritur as vet, që do të realizojmë kaq shumë. Është meritë e shtimit të stafit dhe përformansës së stafit. Jo vetëm që është shtuar numri i kardiologëve invaziv, por dhe cilësia e punës së tyre është shtuar dukshëm”, tha ai.

Por Klinika e Kardiologjisë,  përveç pacientëve shqiptar, viteve të fundit po ofron shërbime dhe për pacientët serb, të cilët kanë filluar që të kërkojnë trajtim në QKUK, gjë që më herët nuk e kishin bërë.

  “ Ajo çka është shumë për ne si mburrje, sepse  është se kemi krijuar besimin dhe tek popullata serbe. Përveç Mitrovicës Veriore, e gjithë popullata serbe të gjitha enklavat ku jetojnë ata orientohen në qendrën tonë për trajtim. Deri më tani kemi trajtuar mbi 300  qytetarë të komunitetit serb. Të gjithë janë trajtuar.. Ndaj tyre kemi qenë të kujdesshëm, trajtimi ka qenë i mirë, profesional…Kurrë nuk kemi pasur ankesa. Përkundazi kemi pasur lëvdata, mirënjohje dhe falenderime”, tha ai.

Gorani thotë se pacientët serb filluan të trajtohen në QKUK nga zori, por se me kalimin e kohës, e panë se  ia vlen që të trajtohen në QKUK për shkak të trajtimit profesional që opfrohet aty.

“Fare nuk kanë ardh tek ne. Më mirë është me ardh tek ne, se me vdek rrugës. Qendrat e tyre janë shumë larg, Beogradi, Nishi, Kragujevci, ku do të merrnin trajtim. Ata vijnë në gjendje të rëndë. Kanë filluar të vijnë nga zori. Por pastaj e kanë parë që tek ne ia vlen me ardh, sepse kanë pasur një trajtim shumë njerëzor dhe profesional. Ne të njejtën gjë e ofrojmë për të gjithë. Ne nuk e shikojmë emrin, nacionalitetin”, tha ai. .