14:04 / E Premte, 04 Dhjetor 2020 / B O

A po mendon vërtet Putin të hyjë në një aleancë ushtarake me Kinën?

Nga Aleksandër Gabuev, Carnegie Moscow Center

Në një takim të Klubit Valdai disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA, presidenti rus Vladimir Putin bëri një koment mjaft interesant. I pyetur nëse ishte e mundur të mendohej krijimi i një aleance ushtarake midis Kinës dhe Rusisë, Putini u përgjigj:“Është e mundur të imagjinohet diçka e tillë.… Ne nuk ia kemi vendosur vetes këtë synim. Por, në parim, as nuk do e përjashtojmë atë”.

Për shumë vite, Putin dhe zyrtarë të lartë rusë -por edhe udhëheqja kineze -kanë deklaruar gjithmonë se nuk kanë në plan asnjë aleancë me Kinën. Moska dhe Pekini e dinë shumë mirë se interesat e tyre nuk përkojnë gjithmonë.

Për shembull, Kina nuk i njeh Abkazinë ose Osetinë e Jugut si kombe të pavarura, dhe e cilëson zyrtarisht Krimenë si pjesë të Ukrainës. Nga ana e saj Rusia, nuk i njeh pretendimet kineze ndaj Detit të Kinës Jugore, dhe qëndron e distancuar ndaj mosmarrëveshjeve territoriale të Kinës.

Asnjëra palë nuk dëshiron të rrezikojë të përfshihet në një konflikt të madh për interesat e partnerit të saj. Shpjegimi logjik ndaj refuzimit të Putinit këtë herë për të përjashtuar një aleancë ushtarake me Kinën, mund të qëndrojë jo tek marrëdhëniet e Rusisë me Kinën, por me Perëndimin.

Që prej ri-shtrirjes të shumë reklamuar të Rusisë në Lindje, pas rënies së marrëdhënieve të saj të acaruara me Shtetet e Bashkuara dhe BE në vitin 2014, Moska ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar partneritetin e saj me Pekinin, duke u fokusuar kryesisht tek ekonomia dhe siguria.

Projekte të mëdha si ndërtimi i gazsjellësit “Power of Siberia” dhe sipërmarrjeve të tjera në fushën e energjisë, gati e kanë dyfishuar në më pak se një dekadë pjesën e tregtisë kineze, në vëllimin e përgjithshëm tregtar të Rusisë:nga 10 për qind në vitin 2013, në gati 18 për qind vitin e shkuar.

Edhe bashkëpunimi ushtarak ka arritur në një nivel të ri. Rusia i ka shitur Kinës pajisjet më të fundit, si avionët luftarakë Su-35 dhe sistemet raketore S-400. Ndërkohë të dyja vendet po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në një shkallë gjithnjë e më të madhe, dhe në një zonë gjeografike gjithnjë e në zgjerim, nga Baltiku në Detin e Kinës Jugore.

Por nëse për Rusinë, që po vuan sanksionet e Perëndimit, Kina po bëhet një partnere gjithnjë e më e rëndësishme, që do të ishte e vështirë të zëvendësohej, për Pekinin, Moska mund të zëvendësohej lehtësisht, pasi shumica e asaj që merr Kina mund t`a blejë dhe diku tjetër. Edhe roli i armëve ruse do të zvogëlohet,teksa teknologjia kineze e mbrojtjes po përparon në mënyrë të pashmangshme. Përveç kësaj, sanksionet e SHBA-së dhe BE-së, po e bëjnë gradualisht Rusinë të ndërvarur nga Kina për teknologji strategjike civile, siç janë sistemet 5G.

Ndonëse alternativat evropiane (si Ericsson dhe Nokia) dhe kineze (Huawei dhe ZTE) janë të pranishme në tregun rus, perspektiva e sanksioneve të reja, dhe shqetësimet për sigurinë kombëtare, i bëjnë më të preferuara kompanitë kineze.

Gjithsesi, varësia e Rusisë nga Kina nuk ka arritur ende një nivel kritik. Tek e fundit, argumentohet në Moskë, nëse gjatë krizës së Ukrainës në vitin 2014 Rusia mundi ta sfidonte partneren e saj kryesore – BE – ndërsa varej shumë nga tregjet, teknologjia dhe financat evropiane, atëherë Kremlini mund të mbrojë interesat e tij me po aq forcë dhe në rastin e një grindje me Kinën.

Por nëse marrëdhëniet me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkeqësohen gjatë 10-15 viteve të ardhshme, dhe roli i Kinës si një partnere tregtare dhe burim i teknologjisë vazhdon të rritet, atëherë Pekini mund të ketë në dispozicion mjetet për t’i bërë presion Moskës.

Dhe nëse në vitin 2014, Kremlini e kishte të paktën ndonjë alternativë ndaj Perëndimit me Kinën, në mesin të viteve 2030 mund të mos ketë asnjë alternativë ndaj Kinës, dhe Rusia mund ta shohë veten tërësisht të ndërvarur ndaj klientit të saj të vetëm.

Përveç kësaj, Moska nuk mund të mos e vërë re se gjatë viteve të fundit, Pekinit ka nisur t`i shijojë përdorimi i “armëve” ekonomike si sanksionet, embargot dhe tarifat, për të ushtruar presion ndaj vendeve të tjera, siç po shihet nga lufta tregtare që po ndodh aktualisht midis Kinës dhe Australisë.

Vitet e fundit, Moska është përpjekur ta shfrytëzojë çështjen e afrimit të saj me Pekinin, për të trembur Perëndimin me perspektivën e një blloku kino-rus, që merr formë me synim detyrimin e zbutjes së politikës perëndimore ndaj Rusisë.

Dhe kjo qasje ka nisur të japë rezultat me BE-në, siç dëshmohet nga intervista e presidentit francez Emmanuel Macron për “The Economist” vitin e kaluar, por dhe nga interesi i madh për lidhjet Kinë-Rusi në Berlin, dhe shumë kryeqytete të tjera evropiane.

Por as BE, dhe as vendet e veçanta evropiane, madje edhe ato aq të fuqishme sa Gjermania dhe Franca, nuk mund të kufizojnë afrimin ruso-kinez, pa koordinuar përpjekjet e tyre me Shtetet e Bashkuara. Qëndrimet e SHBA-së ndaj aleancës në zhvillim midis Moskës dhe Pekinit janë të ndryshme.

Nën presidentin Barack Obama, shumë zyrtarë të lartë besuan se afrimi ishte i pasinqertë, pasi të dyja vendet nuk i zënëbesë njëra-tjetrës,teksa në Rusi ekziston frika e një zgjerimi demografik kinez në Lindjen e Largët. Administrata e Donald Trump e mori sfidën më seriozisht, por përpjekjet e SHBA-së për t’u pozicionuar në majë të trekëndëshit SHBA-Rusi-Kinë dështuan, dhe veprimet e administratës Trump vetëm sa e forcuan boshtin Rusi-Kinë.

Reagimi ndaj afërsisë në rritje të Kinës dhe Rusisë, nuk ka gjasa të jetë një prioritet për ekipin e politikës së jashtme të Joe Biden. Por kjo çështje do të dalë në mënyrë të pashmangshme në diskutimet midis ekipit të tij të sigurisë kombëtare.

Presidenti i zgjedhur e konsideron Kinën si një “rivale serioze” të Shteteve të Bashkuara në betejën për udhëheqjen globale, dhe Rusinë si një “kundërshtare”edhe më armiqësore të fuqive të mëdha. Prandaj Uashingtoni nuk mund t’i injorojë marrëdhëniet midis Pekinit dhe Moskës.

Moska e di mirë se shqetësimi kryesor i Shteteve të Bashkuara është afrimi ushtarak i Moskës dhe Pekinit, dhe më konkretisht përdorimi i teknologjisë ruse për të rritur potencialin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës. Problemi kryesor për SHBA-në dhe aleatët e saj evropianë, është skicimi i një strategjie realiste, që do të merrte parasysh rëndësinë e çdo lloj marrëdhënie të afërt mes Rusisë dhe Kinën. /Abcnews.al