75 Mall Live Search
12:34 / E Mërkurë, 11 Mars 2020 / indeksADMonline

A po paralajmëron sekretari i Nismës, inicimin e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë “Kurti”?

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, do të nxirrte në shësh nëse për LDK-në dhe kryetarin e saj, të cilët shprehin mospajtime me qëndrimet e Kurtit është më e rëndësishme të mbeten në Qeveri apo të rudhen marrëdheniet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më tej, ai shkruan se nëse LDK-ja vazhdon me kritikat dhe qëndron në Qeveri, atëherë ajo do ta ndajë përgjegjësinë për rrënimin e marrëdhënieve jetike për shtetin e Kosovës.

“Pa zbatimin e një mocioni të tillë, kundërshtitë individuale të eksponentëve të sippërmendur të LDK-së do të mbeten vetëm si kritika në kuadër të profileve të tyre të Facebookut apo Twitterit”, ka shkruar ndër të tjera ai në Facebook.”

Postimi i plotë: Ka kontekste historike, si ky në të cilin ndodhemi, ku 100 ditë mund të kenë impaktin e një epoke! Kisha vendosur të mos jepja ndonjë qëndrim lidhur me zhvillimet politike në vend dhe të respektoja afatin e “100 ditëve të famshme” të qeverisjeve demokratike.

Mirëpo, ka kontekste historike, si ky në të cilin ndodhemi, ku 100 ditë mund të kenë impaktin e një epoke! Dinamika e rrënimit të marrëdhënieve me SHBA-në është alarmuese dhe askush nuk mund të përjashtojë hipotezën që kjo dinamikë politike të ndajë historinë e shtetit të Kosovës në Epokën PARA rrënimit të marrëdhënieve me SHBA-në dhe Epokën PAS rrënimit të këtyre marrëdhënieve.

Nëse dikush mendon se duhet respektuar “100- ditëshin” për të parë si do të veprojë qeveria “Kurti”, një gjë është e sigurt: Kosova nuk ka asnjë ditë në dispozicion për të lejuar aventura të tilla që vënë Kosovën përballë rreziqeve të paparashikueshme.

Një numër reagimesh vënë theksin e kritikave në politikën VV-së, në përgjithësi dhe të Albin Kurtit, si kryeministër, në veçanti. Kritikat e kësaj natyre nuk janë tërësisht objektive, për arsye se në kritikat e tyre nuk përfshihen të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë situatë.

Të mos harrojmë atë që është thelbësore për të kuptuar peshën e vërtetë të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën ndodhemi: në zgjedhjet e 6 tetorit VV-ja ka fituar 29 mandate, që përbën përafërsisht një të katërtën e numrit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës. Pa mbështetjen e 28 deputetëve të LDK-së dhe të 10 deputetëve të komuniteteve jo shumicë, Albin Kurti nuk do të kishte pasur fuqinë institucionale të zbatonte aventurat e tij, sepse nuk do të kishte pasur 61 deputetët e mjaftueshëm për një gjë të tillë.

Një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, aty ku ka marrë besimin kjo Qeveri, do të nxirrte në shesh nëse për LDK-në, për kryetarin e saj Isa Mustafa, për ministrat e LDK-së në Qeveri, për deputetët e kësaj partie që shprehin mospajtimet me qëndrimet e z. Kurti është më e rëndësishme të mbeten në Qeveri apo të ruhen marrëdhëniet e mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nëse LDK-ja vazhdon me kritikat dhe qëndron në Qeveri, atëherë ajo do ta ndajë përgjegjësinë për rrënimin e marrëdhënieve jetike për shtetin e Kosovës. Pa zbatimin e një mocioni të tillë, kundërshtitë individuale të eksponentëve të sipërmendur të LDK-së do të mbeten vetëm si kritika në kuadër të profileve të tyre të Facebookut apo Twitterit!