75 Mall Live Search
13:01 / E Shtunë, 26 Janar 2019 / indeksADMonline

A pritet të ketë zhvillim ekonomik gjatë vitit 2019 në Kosovë?!

Zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk pritet që as gjatë këtij viti të ndjek ritme rritjeje ashtu siç është premtuar më herët. Kjo pasi që edhe këtë vit projekt buxheti i Republikës së Kosovës nuk garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Mungesa e energjisë elektrike, kamatat e larta, rritja e numrit të plaçkitjeve, skemave sociale dhe orientimi i gabuar u buxhetit, janë disa nga sinjalet se nuk pritet që ky të jetë viti i ekonomisë.

Kështu ka vlerësuar për “Indeksonline”, ekonomisti Lulzim Beqiri i cili ka theksuar se buxheti do të duhej të orientohej në uljen e papunësisë, mbështetjen e prodhueseve, fuqizimin e sektorit privat dhe hartimin e politikave fiskale adekuate.

“Projekt buxheti i Republikës së Kosovës i vitit 2019 sikurse edhe viteve tjera nuk garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, si pasojë e orientimit të gabuar në fusha me më pak prioritet, pra buxheti duhet të orientohet në këto kategori siç janë: ulja e papunësisë, mbështetja e prodhuesve, fuqizimi i sektorit privat dhe hartimin e politikave fiskale adekuate, mirëpo Kosova çdo vit për mbrojtje sociale shpenzohet rreth 22.5% e buxhetit” është shprehur Beqiri.

Sipas tij, vlera më e madhe e buxhetit për vitin 2019 është ndarë për mallra dhe shërbime e gjithashtu edhe investime kapitale. Madje, sipas Beqirit aty janë anashkaluar prioritetet dhe në plan të parë janë interesat personale.

“Vlera më e madhe e projekt buxhetit edhe në vitin 2019 është ndarë për mallra dhe shërbime, gjithashtu edhe për investime kapitale, me theks të veçantë në autostrada, çka edhe ka ngjallë reagime të qytetarëve sepse buxheti i shtetit ka filluar të ndahet edhe sipas prejardhjes së Ministrit apo zyrtarëve të Ministrisë duke anashkaluar prioritet” ka thënë ai.

Ekonomisti i njohur për “Indeksonline” është shprehur se i ashtu quajturi “Viti i ekonomisë” është proklamuar vetëm për konsum elektoral.

“Viti i Ekonomisë sa për popullaritet, dhe për konsum elektoral, siç dihet këtë koalicion e karakterizon nepotizmi, mos menaxhimi I duhur I parasë publike dhe si pasojë e mos menaxhimit pra pasojat ekonomike që dalin nga keq menaxhimi dhe keq planifikimi i parasë publike janë shumë evidente në Republikën e Kosovës, nga të gjitha qeveritë që Kosova ka pas, andaj tashmë ka një vullnet gjithë popullor që kjo formë e udhëheqjes të ndryshojë, ngase kjo tregon se taksat e tatimpaguesve kosovar humbin si pasojë e faktorit njeri, shpenzimi i parasë publike duhet të bëhet në mënyrë më efikase efektive dhe me një transparencë më të madhe”

E gjendjen më shumë në Kosovë po e vështirësojnë skemat sociale, ku me mijëra qytetar marrin asistencë nga shteti.

“Republika e Kosovës në asistencë sociale ka qindra mijëra qytetarë, sipas ASK-së në vitin 2015 janë 107,451 qytetarë që marrin asistencë nga shteti ose mbi 25 mijë familje, në vitin 2016 ndihmën e shtetit e kanë pranuar 26,302 familje dhe në vitin 2017 rreth 106,628 qytetar kanë përfituar nga skemat sociale nga Qeveria e Kosovës” ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, ndër problemet tjera që e vështirësojnë rritjen ekonomike në Kosovë është edhe papunësia, e cila sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës arrin deri në 30%. Ku, Beqiri thekson se si pasojë e kësaj gjendje është rritur edhe numri i të rinjve që dëshirojnë të ikin nga vendi.

“Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë problemet kryesore të rinisë kosovare, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës papunësia sillet rreth 30%, ndërkaq sipas shumë hulumtimeve të organizatave të ndryshme që monitorojnë punësimin papunësia arrin deri në 40%, prandaj kemi edhe dëshira nga   kosovarët të ikin nga ky vend, për një jetë më të mirë, përderisa analizon pasurinë e pushtetarëve që shumë nga ta janë milionerë e që besa edhe miliarderë pa ndonjë mbulesë të dëshmuar, e për pasojë të politikave jo të duhura nga ana e institucioneve biznesi kosovar po has në barriera jo logjike, konkurrenca jo lojale, kamatat e larta, procedura burokratike, të gjitha kanë ndikuar dukshëm në perceptim negativ të investitorëve për të investuar në Kosovë” ka përfunduar ekonomisti Lulzim Beqiri.

Po ashtu, ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media kishte thënë se Kosova do të  bëhet revolucion në rritjen ekonomike./Indeksonline/