13:22 / E Premte, 27 Mars 2020 / indeksADMonline

A pritet të ndryshojë vendimi për masat e ndalimit të qarkullimit të veturave? Flasin nga Qeveria

Ditë më parë qeveria  e Kosovës, mori vendim që të  kufizoj lëvizjen e qarkullimit brenda dy orëve, nga ora 10:00 e deri në ora 16:00 e nga ora 20:00 e deri në ora 06:00 ndaloj lëvizjen për të gjithë.

Mirëpo koha e lirë pas këtyre dy orareve, duket se filloj të krijoj turma të shumta të qytetarëve dhe veturave, për të cilat në vazhdimësi ka raportuar IndeksOnline.

Duke parë një situatë të tillë edhe Kryetarët e Komunave përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës të bëj ndryshimin e masave rreth ndalimit të qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për IndeksOnline, ka thënë se  Qeveria është duke përcjellur nga afër të gjitha zhvillimet, por se ende  diskutimet brenda saj nuk janë duke u bërë në nivel të rivlerësimit të këtij vendimi.

Ai ka thënë tutje se qytetarët do të njoftohen me kohë për çfarëdo ndryshimi të vendimeve apo masave.

” Jemi duke u diskutuar, por se nuk është në nivel të rivlerësimit të vendimit.  Jemi të vetëdijshëm për radhët e gjata, kolonat me vetura kur lëvizja e lirë është e lejuar, dhe jemi vazhdimisht duke bërë vlerësimet tona, mbi efikasitetin e këtyre masave. Për çdo vendim qytetarët do të njoftohen me kohë”,  tha Kryeziu për IndeksOnline.