75 Mall Live Search
15:01 / E Enjte, 20 Shkurt 2025 / G T

A u takua me Xabi Alonson? Albert Bunjaku për rolin e ri te Kosova U19: I nderuar për mundësinë, do krijojmë një ekip të fortë!

Kombëtarja e Kosovës U19 është bërë me trajner të ri pas largimit të Adil Maliqit. Rolin te “Dardanët” e rinj e ka marrë ish-lojtari i shumë klubeve gjermane dhe zvicrane, Albert Bunjaku.

Gjatë një interviste për Indeksonline.net, Bunjaku foli rreth bisedimeve që pati me FFK-në, fokusit të tij dhe për takimin me trajnerin aktual të Leverkusenit, Xabi Alonso.

41-vjeçari refuzon të përgjigjet për futbollistët individual që ka Kosova U19, pasi qëllimi i tij është një grumbullim cilësor pa veçuar askënd.

Bunjaku në staf do e ketë një legjendë të futbollit, si Anel Rashkaj – i cili do jetë asistent. Sipas ish-sulmuesit, Rashkaj do jetë një ndihmesë e madhe, pasi është “ekspert” i lojtarëve të rinj dhe zbulimeve të talentëve.

Bunjaku është pjesë e grupmoshave të reja te Bayer Leverkuseni. Ai thotë se nuk do ta lë punën në Gjermani, sepse kjo do i ndihmojë shumë duke bërë një “konektim” mes punës te klubi i Bundesligas dhe futbollit kosovar.

Kosova U19 do të luajë në tetor ndeshje zyrtare, ku në grup do të jetë së bashku me shtetet, si: Norvegjia, Gjermania dhe Armenia.

Por, Bunjaku thotë se do të ketë një grumbullim para këtyre ndeshjeve dhe do të aranzhohen miqësore për ta përgatitur mirë ekipin dhe për ta njohur njëri-tjetrin.

Fokusi nuk është vetëm te lojtarët jashtë Kosovës, por Bunjaku premton se çdo futbollistë që e meriton të grumbullohet, pavarësisht ku luan do të jetë pjesë e grupmoshave të reja U19.

Intervista e plotë e realizuar nga gazetari i Indeksonline.net, Granit Tërstena:

Indeksonline.net: Fillimisht dua të di rreth bisedimeve që keni pasur me FFK-në në lidhje me këtë marrëveshje? Sa kanë zgjatur bisedimet dhe si kanë qenë emocionet e juaja pasi pranove të bëheshe trajner i Kosovës U19?

Albert Bunjaku: Bisedimet me (FFK) kanë qenë shumë pozitive dhe konstruktive. Kena pas qe disa vite gjithmonë kontakt. Me mar drejtimin si trajner i Kombëtares U19, ështe një emocion veçantë dhe jam shumë i nderuar që kam mundësinë të kontribuoj në futbollin e vendit tim.

Indeksonline.net: Ka pothujse tri vite që je futur në profesionin e trajnerit, duke qenë asistet te Bonner dhe tani te Leverkuseni. Sa është ndryshe ky rol nga ai i futbollistit?

Albert Bunjaku: Kalimi nga roli i futbollistit në atë të trajnerit ka qenë një përvojë transformuese. Si trajner, përgjegjësitë janë më të gjera dhe kërkojnë një qasje strategjike, planifikim të detajuar dhe aftësi për të menaxhuar dhe motivuar lojtarët. Ndërsa si lojtar fokusohesh kryesisht në performancën personale dhe kontributin në fushë, si trajner duhet të kesh një vizion më të gjerë për ekipin dhe zhvillimin e tij afatgjatë.

Indeksonline.net: Jeni takuar ndonjëherë me Xabi Alonson për të marrë këshilla nga ai?

Albert Bunjaku: Po, kam pasur mundësinë të takoj dhe të bisedoj me Xabi Alonso.  Ai është një trajner me përvojë të jashtëzakonshme. Por ne nuk folëm për rolin tim të ri. 

Indeksonline.net: Fokusi juaj te Kosova U19? Të marrësh lojtarë nga Kosova apo nga Europa?

Albert Bunjaku: Fokusi im dhe i Staffit timë kryesor është identifikimi dhe zhvillimi i talenteve më të mira kosovar, pavarësisht se ku ndodhen ata. Ne do të punojmë ngushtë të zbuluar lojtarët me potencial të lartë.

Indeksonline.net: Momentalisht e dijmë që vetëm në tetor është orari i ri për ndeshjet e Kosovës U19, a keni menduar ndonjë miqësore para këtyre takimeve?

Albert Bunjaku: Po, është e rëndësishme që ekipi të ketë mundësi të luajë ndeshje miqësore para angazhimeve zyrtare në tetor.   Këto ndeshje do të na ndihmojnë të vlerësojmë formën e lojtarëve, të testojmë skemat taktike dhe të forcojmë kohezionin e ekipit. Jemi në proces të planifikimit të disa ndeshjeve miqësore.

Indeksonline.net: Cili mendoni se është lojtari më i spikatur te Kosova U19?

Albert Bunjaku: Nuk dua të komentoj për lojtarë individualë.

Indeksonline.net: Tani je duke punuar edhe te Leverkuseni. Por, a e keni menduar për ta lënë punën atje dhe të fokusoheni te Kosova U19 dhe në zyrat e FFK-së?

Albert Bunjaku: Aktualisht, jam i përkushtuar ndaj detyrave të mia si trajner i Kosovës U19, por edhe ndaj angazhimeve të mia te Bayer Leverkusen. Besoj se këto dy role mund të plotësojnë njëri-tjetrin dhe të më ndihmojnë të sjell përvojë të vlefshme në ekipin kombëtar. Megjithatë, fokusi im kryesor mbetet zhvillimi i talentëve të rinj dhe krijimi i një ekipi konkurrues për të ardhmen.

Indeksonline.net: Te Kosova U19 nuk je i vetëm, në staf e ke një emër të madh, si ai i Anel Rashkaj. A mendoni se ka për të qenë një ndihmesë e madhe ish-kapiteni “Dardan”?

Albert Bunjaku: Jam i lumtur që kam një staf që punon mirë së bashku. do të njihemi edhe më mirë tani. Për mua është e rëndësishme që të kemi një ndarje të qartë të detyrave. kjo është ajo që karakterizon një ekip që funksionon mirë. Pa dyshim që Aneli do të jetë një ndihmesë e madhe për neve. Ai ka një përvojë të jashtëzakonshme si lojtar dhe njeh shumë mirë futbollin kosovar.  Ai e kupton mentalitetin e futbollistëve të rinj dhe do të ndihmojë shumë në zhvillimin e tyre.

Indeksonline.net: Kur ke me pas grumbullimin e parë me djelmoshat? Dhe cili ka me qenë fokusi juaj?

Albert Bunjaku: Jemi duke punuar për të organizuar grumbullimin e parë sa më shpejt të jetë e mundur. Po diskutojmë për mundësinë e disa ndeshjeve miqësore dhe për këtë arsye po përcaktojmë datat më të përshtatshme. Qëllimi është të krijojmë një ekip të fortë dhe të testojmë lojtarët në një ambient kompetitiv përpara ndeshjeve zyrtare.