22:20 / E Diele, 26 Janar 2020 / indeksADMonline

“A.y.l.a.n”, shfaqja më e mirë e “Talia e Flakës 2020”

Shfaqja “A.y.l.a.n” që përfaqësoi nikoqirin, Teatrin e Qytetit të Gjilanit, përmbylli Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, në kuadër të manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2020”, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Juria vlerësuese në përbërje Agim Selimi, regjisor, Visar Krusha dramaturg dhe Ekrem Sopi regjisor, i kanë vlerësuar prurjet e këtij edicioni dhe kanë ndarë çmimet e parapara për këtë Festival.

Kështu, ”Drama më e mirë origjinale e Festivalit”, u vlerësua, ajo e Fadil Hysaj, shfaqja “Shkamat”. Çmimin “Shfaqja më e mirë e Festivalit” ishte shfaqja “a.y.l.a.n” e Teatrit të Gjilanit. “Regjia më e mirë e Festivalit”, ishte çmimi që iu nda regjisores Blerta Rrustemi – Neziraj për shfaqjen “a.y.l.a.n”.

Çmimi “Aktorja më e mirë e Festivalit”, i takoi aktores Sheqerie Buqaj, për rolin në shfaqjen “Shkamat”, ndërsa çmimi “Aktori më i mirë i Festivalit”, i takoi aktorit Xhevdet Doda, për rolin në shfaqjen “Shkamat’

Erson Zymberi, drejtor i Teatrit të Gjilanit, bëri të ditur edhe për disa çmim speciale që do t’i ndajnë e që i bëjnë nderë Teatrit, angazhimi i të cilëve ka bërë që të kemi këtë interesim të madh për teatrin.

Kështu, çmimi Post Mortum  iu nda aktorit dhe regjisorit Nuhi Matoshi. Çmimi tjetër iu dedikua aktorit Muharrem Sylejmani, njëri ndër meritorët që Teatri ka këtë të arritur. Po ashtu, u ndan edhe dy mirënjohje: edhe atë për Burhan Sylejmanin dhe Behajdin Hoxha.

Aktivitetet e manifestimit “Flaka e Janarit 2020”, do të vazhdojnë më 28 janar kur mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e teatrit të qytetit.

Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete – Ora e madhe letrare “Pena e  Flakës”, ku shpallen edhe rezultatet e konkursit letrar në prozë dhe poezi, si dhe Festivali i këngës popullore “Fest-Flaka”.