75 Mall Live Search
10:10 / E Enjte, 11 Dhjetor 2025 / AR

Arta Bajrami, zëri i autizmit dhe i artit shqiptar në eventin diplomatik “Urat e shpresës”

Këngëtarja e njohur Arta Bajrami, së bashku me bashkëshortin e saj, ka marrë pjesë në eventin diplomatik “Urat e shpresës”, të organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe Bamirësisë.

Përveç prezencës si artiste, Arta mori pjesë edhe si përfaqësuese e OJQ-së “Lobimi për autizëm”, organizatë që angazhohet në mbrojtjen dhe fuqizimin e personave në spektrin e autizmit dhe familjeve të tyre, përcjell Indeksonline.

Në ngjarje ishte edhe drejtoresha ekskluzive e shoqatës “Lobimi për autizëm”, Valbona Shala-Thaqi, ku ngjarja pati në fokus temën: “Diplomacia për të drejtat e njeriut”, me një theks të veçantë te kategoritë e margjinalizuara, gratë e dhunuara në familje, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet jo-shumicë, komuniteti LGBTI+ dhe refugjatët. Diskutimet u përqendruan në rolin e diplomacisë ndërkombëtare dhe asaj kosovare në avancimin e të drejtave të këtyre grupeve.

Në panel morën pjesë pesë ekspertë ndërkombëtarë nga shtetet e Quint-it, të cilët ndanë praktikat më të mira dhe qasjet e vendeve të tyre në fushën e të drejtave të njeriut, si dhe mundësitë për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë.

Qëllimi i eventit ishte krijimi i një platforme diplomatike për dialog, ngritja e zërit të kategorive të margjinalizuara, forcimi i diplomacisë publike dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Ngjarja u mbyll me një darkë bamirësie, ku u ekspozuan punime të realizuara nga të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, artistë me aftësi të kufizuara dhe anëtarë të komuniteteve jo shumicë. Të pranishmit patën mundësinë t’i blejnë këto punime për të mbështetur direkt këto kategori.

U vlerësua posaçërisht edhe angazhimi i Artës si aktiviste dhe zëri i saj përmes OJQ-së “Lobimi për autizëm”, duke e bërë prezencën e saj në këtë event edhe më domethënëse./Indeksonline/