75 Mall Live Search
15:10 / E Martë, 17 Dhjetor 2024 / Z S

AAC nuk bëhet rehat me Rregulloren e Brendshme, brenda pak muajsh ndryshohet 2 herë

Përkundër insistimit të stafit profesional në Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC), Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm (UD DP) të AAC, Burim Dinarama, i emëruar nga Ministri Liburn Aliu në këtë pozitë në mars të këtij viti, ka vendosur të nënshkruajë një rregullore të brendshme që degradon sistemin dhe funksionet aktuale të AAC-së.

Ky degradim i strukturës shkon aq larg sa nuk merret parasysh fakti se AAC është një agjenci rregullatore që punëson profesionistë deficitarë në Kosovë, për ç ‘shkak edhe janë kategorizuar si nëpunës me status të veçantë, sipas Ligjit për Zyrtarë Publik.

Këto ndryshime jo vetëm që bien ndesh me parimet e një organizate rregullatore, por gjithashtu ngarkojnë zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm me rreth 15 persona që raportojnë drejtpërdrejt atij, duke krijuar një strukturë hierarkike të paqëndrueshme.

Ndërkaq, stafi profesional në departamente që luajnë rol kritik në funksionet rregullatore është reduktuar, me qëllim rritjen e stafit në divizionet e sapokrijuara.

Këto divizione janë projektuar për të rehatuar individë të caktuar pa përgatitje profesionale në fushën e aviacionit.

Një tjetër ndryshim në këtë rregullore është edhe ulja e nivelit të të gjithë strukturës së organizatës, duke shndërruar departamentet në divizione. Për më tepër, këtu vihet në pah edhe paaftësia e UD DP të AAC për të mbrojtur institucionin dhe për të gjetur zgjidhje të mençura, gjë që ka rezultuar në një dëmtim serioz të kapaciteteve rregullatore të AAC-së.

Ky degradim dëmton mbajtjen e inspektorëve të aviacionit, në të cilët shteti ka investuar ndër vite.

Kjo rregullore, e cila hyri në fuqi më 26 mars 2024, u ndryshua pas dy muajsh, më 14 maj 2024, dhe së fundmi, më 9 dhjetor 2024, ku UD Drejtori i Përgjithshëm Burim Dinarama ka marrë vendim për ndryshime të reja duke i dhënë grupit punues afat deri më 20 dhjetor.

Sipas menaxhmentit, ndryshimet janë të nevojshme për të përmirësuar gabimet dhe lëshimet që janë bërë gjatë hartimit të kësaj rregulloreje.

Megjithatë, ky arsyetim nuk ka vende, pasi që kjo jap një pasqyrim të mos kompetencës së thellë të dy-tre zyrtarëve që bashkëpunojnë me z. Dinarama për të strukturuar AAC-në në kundërshtim me strukturën dhe funksionet që i garanton ligji.

Stafi profesional i aviacionit është i bindur se ndryshimet në rregullore po bëhen për të hequr barrierat për avancimin e stafit për të cilin ka nisur ky proces i padrejtë, i përshkuar me parregullsi dhe mungesë transparence.

Këto ndryshime kaq të shpeshta (2 here brenda 9 muajve) e vërtetojnë se kjo rregullore është krijuara përmes një procesi të ngutshëm, jo transparent dhe me qëllimin kryesor që të avancojë disa persona në mënyrë jomeritore.

Si për ironi, kjo rregullore, edhe pse është nënshkruar në mars të këtij viti, nuk po gjen zbatim, dhe në AAC ende vazhdon të zbatohet rregullorja e vjetër. UD Drejtori i Përgjithshëm, z. Burim Dinarama, ka udhëzuar stafin që akt emërimet që rrjedhin nga rregullorja e vjetër (shih emailin) të vazhdojnë të jenë në fuqi edhe pse në web faqen e AAC-së kjo rregullore është e shfuqizuar.  https://caa.rks-gov.net/category/rregullorja-e-brendshme/

Për më shumë, për të shtuar edhe më shumë kaosin në këtë institucion, pozitës së Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm i ka kaluar mandatit, bazuar në nenin 35, paragrafi 3, të Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë, në fuqi nga 25 shtator 2023 dhe rrjedhimisht vendimet e z. Dinarama konsiderohen të jashtëligjshme.

Këtu mund ta shihni vendimin: