75 Mall Live Search
17:27 / E Hënë, 04 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

AAK: Kemi këtë qëndrim për Demarkacionin!

Qeveria e Kosovës e cila drejtohet nga kryeministri, Ramush Haradinaj ka miratuar sot raportin me të gjeturat e komisionit shtetëror për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Ndonëse është pritur një qëndrim unik nga ekzekutivi, nuk është arritur diçka konkrete që do të mund ta ndryshonte marrëveshjen e cila ishte nënshkruar në vitin 2015.

I pari i Qeverisë, Haradinaj ka treguar se kanë proceduar për në Kuvend projektligjin për Demarkacionin. Brenda kësaj jave deputetët pritet që të japin votën e tyre për këtë pike të rendit.

Mirëpo, është pikërisht partia e kryeministrit ajo e cila po insiston që kjo marrëveshje mos të kalojë.

Në një prononcim për “Indeksonline”, deputeti i AAK-së, Blerim Kuçi ka treguar qëndrimin e grupit parlamentar për këtë marrveshje.

Ai thotë se raportin e Qeverisë as që e ka parë. Madje, sipas tij, kjo nuk do të ndikojë që e njëjta të kalojë në Kuvend.

“Kjo nuk është më procedurë e shpejtë por e vonuar. Çdo deputet e ka mendimin e vet dhe vendos vet por ne si grup parlamentar nuk do ta votojmë marrëveshjen e vitit 2015. Për arsye se ne kemi pasur kohë mjaftë shumë që të njohim raportin e z.Meha, jemi të njoftuar me këtë lëndë apo materie edhe së paku orientimet tona janë si grup parlamentar që nuk do ta votojmë marrëveshjen ndërkombëtare për shënjimin e kufirit me Malin e Zi të vitit 2015”, ka thënë Kuçi për “Indeksonline”.

Më tej, ai shpjegon se raporti në fjalë është një shtesë për ta që të plotësohet marrëveshja aktuale me shtetin fqinjë. Sipas tij, kanë pasur kohë mjaftueshëm që të vendosin për votimin e kësaj marrëveshje  në legjislativ.

“Pritet mos ratifikimi ose ratifikimi i kësaj marrëveshje në Kuvend. Ky raport është material shtesë i cili një komisioni që ka marrë detyrën prej kryeministrit të  Qeverisë ka kaluar nëpër qeveri për me na dhënë shejë shtesë lidhur me marrëveshjen ndërkombëtare. Ne si Aleancë, si grup parlamentar si subjekt politik kemi pasur takime të lloj-llojshme që të analizojmë mirë këtë situatë”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, seanca për votimin e Demarkacionit pritet të caktohet nesër nga Kryesia e Kuvendit./Indeksonline//Ardian Beka/