AAK-ja arsyeton shpenzimin prej 570 mijë eurove, ja ku u destinuan të hollat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike, për vitin 2024.
Raportet mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit dhe janë llogaritur përgjatë vitit kalendarik.
Sipas raportit të pasqyruar, AAK-ja deklaron të ketë pasur të hyra 325 mijë e 58 euro për vitin kalendarik 2024.
Por, ky subjekt politik ka shpenzuar 907 mijë e 796 euro e 63 centë, shkruan IndeksOnline.
Barrën e shpenzimeve e kanë marrë ato që nuk janë të përfshira në asnjë kategori të listuar, e që kapin shifrën e 586 mijë e 976 euro e 57 centë.
Por, nga AAK-ja e kanë arsyetuar këtë shpenzim.
Sipas zëdhënësit të partisë, Kushtrim Xhemaili, AAK-ja ka blerë një objekt të ri në vlerë prej 570 mijë eurosh.
“Kjo shumë është e paraqitur në raport si shpenzim, si dhe si detyrim për blerjen e objektit, i cili do të shlyhet brenda gjashtë viteve të ardhshme. Vlen të theksohet se forma në të cilën raportohet është formë zyrtare e KQZ-së”, deklaroi Xhemaili.