75 Mall Live Search
09:44 / E Hënë, 21 Prill 2025 / mp

AAK-ja do të veprojë njësoj edhe sot, nuk do ta votojë kandidaten e propozuar nga VV-ja për kryeparlamentare

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të vazhdojë qëndrimin e saj të mëparshëm dhe nuk do ta mbështesë kryeparlamentaren e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, në seancën e sotme të Kuvendit.

Këtë e ka konfirmuar deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Po, AAK-ja do të veprojë njësoj si në dy seancat e kaluara”, tha shkurt Kadrijaj.

Kujtojmë se, pas dy dështimeve radhazi, deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës më në fund arritën ta miratonin raportin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, me ç’rast procesi mori rrjedhë, ndërsa deputetët bënë betimin për mandatin e tyre të ri.

Ky proces u ndal kur erdhi radha për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit.

Kandidatura e Albulena Haxhiut, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme në asnjërën nga dy votimet: në të parën Haxhiu mori 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime; në të dytën, rezultati ishte thuajse i njëjtë, 57 për, 19 kundër dhe 3 abstenime.

Nisma Socialdemokrate dhe dy deputetë të komuniteteve joserbe abstenuan, duke e pamundësuar zgjedhjen e kryetares së re.

Pas dështimit të votimit, seanca u ndërpre dhe pritet të vazhdojë sot në orën 15:00, me shpresën për një marrëveshje të re politike që do t’i japë kuvendit udhëheqësinë e nevojshme për të nisur punën.