13:42 / E Premte, 13 Maj 2022 / k.v

​AAK kërkon të përfshihen edhe veteranët e UÇK-së në rritjen e pagës minimale

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka kërkuar që në kuadër të rritjes së pagës minimale të përfshihen edhe pensionet e veteranëve të UÇK-së.

Ai tha se rritja e pagës minimale pa përfshirjen e veteranëve është diskriminuese.

“Ligji aktual për trajtimin e temës së pagës minimale e ka specifikuar se pensioni i veteranit duhet të jetë i barabartë me pagën minimale. Pastaj kemi propozimin këtu, ku thotë se deri në kategorizim përfundimtar të veteranëve. Projektligji që e keni sjellë parasheh t’i largojë veteranët nga rritja e pensioneve të tyre, pra përveç veteranëve, por s’ka kështu, ata ma së pari, veteranët, siç u tha, pensionin nuk e kanë si shpërblim, por e kanë burim të ekzistencës dhe nëse e marrin këtë pension, nuk mund të punojnë diku tjetër, e cila është diskriminim. Ne e shohim këtë qasje diskriminuese për këtë kategori që i dhanë edhe gjymtyrët për lirinë e vendit, andaj, kërkojmë që ky nen diskriminues të largohet dhe pensionet e tyre të jenë të njëjta me pagën minimale”, tha ai.

Mirëpo, deputeti i LVV-së, Armend Muja tha se ndërlidhja e pagës minimale me veteranët ka paqartësi, pasi në vitin 2016 është shkoqitur lidhja mes pagës minimale dhe veteranëve.

“Shpesh herë në këtë ndërlidhjen e pagës minimale me Ligjin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka disa paqartësi. Kam vërejtur se është harruar një plotësim-ndryshim i datës 30-12-2016, neni 18 ku është shkoqitur lidhja mes pagës minimale dhe kompensimit të veteranëve. Kjo ka ndodhur natën e vitit të ri dhe sa kujtoj ministër ka qenë zotëri Hoti dhe ka marrë përkrahjen e shumicës së votave të deputetëve të PDK-së. E dyta, aty parashihet që veteranët të fitojnë edhe ka 120 euro, jo 170, e vërtetë parashihet se një pjesë të fitojnë më shumë, por për një pjesë është paraparë edhe zvogëlim i pagesës së tyre. E treta në bazë të atij neni është vendosur se shuma e përgjithshme për pensionet e veteranët të jetë 0.7 përqind e bruto prodhimit vendor dhe nëse tejkalohet kjo, pagesat duhet të reduktohen në mënyrë proporcionale”, theksoi ai.