22:21 / E Martë, 19 Shkurt 2019 / indeksADMonline

AAK komenton idenë për zgjedhje të parakohshme

Kohën e fundit dukshëm janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë që drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thonë se zgjedhjet në këtë kohë nuk janë të përshtatshme për vendin tonë, kjo pasi që jemi para proceseve të rëndësishme.

“Nuk ka fare rëndësi nëse zgjedhjet janë të përshtatshme për AAK-në apo për këdoqoftë tjetër. Ne jemi përballë proceseve më të rëndësishme për vendin e dikush bënë kalkulime për kushtet dhe nuk jepë pesë pare nëse kjo e vonon Kosovën në proceset jetike për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Ç’është kjo farë meselje, që ky vend të mos e kuptojë njëherë se zgjedhjet mbahen çdo 4 vjet”, ka thënë për Indeksonline deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ai thotë se kryeministri Haradinaj është i vendosur që të çojë mandatin e tij deri në fund, me qëllim që t’i kryejë punët që ka nisur.

“Haradinaj është i përcaktuar të çojë mandatin deri në fund dhe t’i kryej punët që ka nisur. Por, nuk përjashtohet mundësia që ky përcaktim i Haradinajt është duke i penguar fort dikujt, edhe brenda edhe jashtë Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, AAK nuk e ka as edhe një arsye të mos e pranojë këtë sfidë.

“Ky është realiteti. Por, nëse të tjerët paskan vendosur që ta qojnë vendin në zgjedhje, AAK-ja nuk e ka asnjë arsye elektorale të mos e pranojë këtë sfidë. Zgjedhjet në këtë kohë janë të dëmshme për vendin tonë jo për AAK-në”, ka thënë tutje ai.

Kujtojmë faktin se janë opozita ata të cilët muajt e fundit insistojnë që vazhdimisht për zgjedhje të reja. /Indeksonline/