14:32 / E Martë, 19 Prill 2022 / B O

AAK merr vendim: Nuk votojmë asnjë ligj pa u themeluar Komisioni Hetimor për energji

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e Komisionit Hetimor për energjinë elektrike.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një konference për medie, me ç’rast shprehi shqetësimin për vonesën e strategjisë kombëtare dhe mosvotimin e këtij Komisioni.

“Jemi të shqetësuar që qeveria po e mban të bllokuar gazsjellësin. Jemi të shqetësuar se pse kryeministri po e bllokon një projekt amerikan dhe po i rrezikon marrëdhëniet me shtetet mike. Prandaj edhe kërkesa për gazsjellës është jetike për Kosovën”, u shpreh Haradinaj.

“Jemi të shqetësuar për vonesa të ligjit pagave. Paga minimale duhet të jetë 370 euro neto. Sot ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte dhe qeveria e pengoi parlamentin për komision hetimor. Grupi i AAK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë votim deri në themelimin e komisionit. Ftojmë qytetarët që të vazhdojnë ta përkrahin fondin e sigurisë”, tha Haradinaj.

Gjithashtu, në fund të konferencës Haradinaj bëri thirrje ndaj qytetarëve që ta përkrahin Fondin e Sigurisë.