22:48 / E Hënë, 18 Tetor 2021 / AR

AAK në koalicion me VV për balotazh, flet Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për mundësitë e të bërit koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, në ndonjërën prej komunave të vendit.

Megjithatë, Haradinaj tha se për këtë çështje vendos dega e AAK-së pas propozimeve të cilat pranojnë nga komunat.

“Ne kemi një parim që e kemi respektuar që 22 vjet, na është bërë një ligj i pashkruar. Për koalicione vendos dega jonë në mënyrë të pavarur”, tha Haradinaj në Pressing.

“Ata e sjellin propozimin tek ne, ne ua aprovojmë zakonisht. Nuk është në nivel qendror, por secila degë e bën analizën e vet”, shtoi ai.

“Nuk kemi bërë ndonjë analizë tash. Sot jemi në garë me tri partitë tjera, përballemi edhe me VV-në në dy komuna, ani se aty ku përballemi me ta p.sh kandidati i VV-së është shumë poshtë me votë”, tha Haradinaj.

“Në Gjakovë edhe në Rahovec jemi me VV-në, në Istog e sfidojmë LDK-në. Në zgjedhjet para këtyre, në Gjakovë, kemi qenë në koalicione. Kësaj here kjo është votë e AAK-së pa partnerë tjerë”, theksoi ai.