15:25 / E Martë, 24 Janar 2023 / LB

AAK: Rritja e tatimit për pronat është sulm ndaj qytetarëve

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka konsideruar sulm ndaj qytetarëve rritjen e tatimit në pronë.

Ai tha se efektet zinxhir që i prodhon kriza socio-ekonomike nuk mund të shërbejnë si vlerësime reale të normës tatimore të pronave.

“Logjika që kriza e shkaktuar nga inflacioni të kthehet barrë, jo vetëm e rritjes së çmimeve bazike, por edhe në vlerësimin e vlerës tatimore, është e pabazuar, jologjike dhe rënduese për qytetarët. Ka kohë që nxjerrja e parave nga xhepi i qytetarëve, po përkthehet si rritje e të hyrave buxhetore, si rritje ekonomike”, ka shkruar Tahiri.

Ai tha se në vend se shteti të sigurojë vitalitetin e ekonomisë e të garantojë mirëqenien e qytetarëve, ai po kthehet në instrument të varfërimit të qytetarëve.

“Nuk vlejnë rregulla të njëjta në kriza, bota njeh teori e shembuj të ndërhyrjes së shtetit, për të kapërcyer kriza, e jo praktika të krekosjes kur qytetari ka plot halle”.