75 Mall Live Search
16:19 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

AAK takohet me Josef Borrell, duan që liberalizimi i vizave të jetë temë parësore në mbledhjen e radhës së BE-së

Sot, në takimin e ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josef Borrell me partitë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u përfaqësua nga Sekretari i Përgjithshëm, Besnik Tahiri, dhe anëtarja e kryesisë Meliza Haradinaj-Stublla.

Në këtë takim AAK ia paraqiti Borrellit qëndrimet e partisë:

– Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbetet e përkushtuar për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e detyrimeve të saj në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

– Presim që liberalizimi i vizave për Kosovën të jetë temë parësore e diskutimit në rendin e ditës për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të BE-së, duke marrë parasysh që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

– Jemi plotësisht e përkushtuar për paqe, njohje të ndërsjellë dhe marrëdhënie fqinjësore të mira me të gjitha vendet e rajonit.

– Vlerësojmë lartë punën e Kancelares Merkel dhe Presidentit Macron në të gjitha fazat e procesit të dialogut. Për më tepër, ne besojmë se është shumë e rëndësishme për Brukselin zyrtar dhe Uashingtonin, në veçanti ambasadorin Richard Grenell, të dërguarin special të Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, të shtyjë përpara procesin e dialogut me të njëjtën energji dhe angazhim.

– Mirëpresim edhe angazhimin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe shumë partnerëve tjerë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

– Theksuam nevojën e intensifikimit të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë, duke pasur parasysh që kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë. Gjithashtu, është thelbësore që të angazhohet drejtpërdrejt Berlini zyrtar në këtë proces.

– Në këtë perspektivë, theksuam se është thelbësore që Kosova të marrë edhe njohje nga pesë vendet mosnjohëse të Bashkimit Evropian – Spanja, Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Greqia.

Si një parti e qendrës së djathtë, nënvizuam se jemi plotësisht të përkushtuar në agjendën e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe nuk bëjmë asnjë kompromis për këtë angazhim.