Abazi apel partive politike: Punoni në mbrojtjen e konsumatorëve, është shtyllë e BE-së

Mbrojtja e konsumatorëve do të duhej të përfshihej patjetër në programet e partive politike, ka thënë në një intervistë Dardan Abazi nga INDEP-ja.
Sipas tij, mbrojtja e konsumatorit përbën një ndër shtyllat kryesore të legjislacionit evropian dhe përafrim me BE-në.
“Ne jemi mjaft të dëshpëruar që mbrojtja e konsumatorit nuk është përfshirë në programet e partive politike, në atë mënyrë që të merren dhe të parashihen masat, të cilat do të përmisonin pozitën e konsumatorëve në treg, qoftë duke rritur sigurinë e produkteve, qoftë duke rritur cilësinë e tyre pra zbatimin e legjislacionit që ka të bëjë me kontratat, me ofertat, me zbritjet, prej të cilave ne kemi pasur mjaft shumë ankesa dhe në faqen tonë: Mbrojtësit e konsumatorëve”.
“Pra partitë politike si duket nuk e kanë prioritet mbrojtjen e konsumatorit dhe kjo është dëshpëruese, duke e marrë parasysh se mbrojtja e konsumatorit përbën një ndër shtyllat kryesore edhe të legjislacionit evropian, sidomos sa i përket cilësisë dhe infrastrukturës së cilësisë në përgjithësi dhe rritjes së konkurrueshmërisë së produkteve, të cilat duhet të kenë në tregun evropian. Pa pasur një prioritet tek mbrojtja e konsumatorit ne nuk mund të llogarisim, që do të kemi as respektim të të drejtave të njeriut as mbrojtje të shëndetit publik dhe, në fund të fundit as produkte që janë me cilësi barazvlefshëm me ato të BE-së, çka do t’i mundësonte Kosovës që të përfitonte edhe nga MSA-ja dhe nga pozicioni tjetër kontraktual me BE-në”.
Ai tha se pandemia do duhej të ishte nxitëse për partitë politike që të vlerësonin më shumë mbrojtjen e konsumatorëve.
Abazi ka sqaruar se kanë pranuar mbi 200 ankesa të konsumatorëve që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të tyre.
“… kemi marrë vetëm gjatë këtij viti të fundit diku mbi 200 ankesa të konsumatorëve që kishin të bënin pikërisht në shkelje të të drejtave të tyre në kohën e pandemisë. Kemi marrë mjaftë shumë ankesa sa i takon blerjeve online, legjislacioni ynë nuk i rregullon sa duhet ato dhe në këtë mënyrë kemi shitës online që nuk janë fare të regjistruar, nuk lëshojnë fare kupon fiskal, nuk kanë një adresë të caktuar dhe legjislacioni ynë dhe praktika në fakt qalon në këtë drejtim. Shumë konsumatorë dëmtohen edhe financiarisht dhe u kushton edhe në kohë edhe barrë emocionale, e cila pastaj nuk kanë mundësi as të ankohen në organet kompetente, për shkak se nuk ekziston një bazë e qartë ligjore”, theksoi Abazi.
“Nga ana tjetër kemi edhe shumë mangësi sa i përket zbatimit të legjislacionit që ka të bëjë me zbritjet, me vendosjen e çmimeve nëpër rafte të caktuara me ndryshimet në çmim që janë në mes të arkës dhe atyre që paraqiten në rafte, pra ka tepër shumë shkelje të të drejtave të konsumatorëve që ndodhin çdo ditë dhe të cilat janë rezultat edhe i moszbatimit të kornizës aktuale ligjore, por edhe të mangësive që ekzistojnë në të”.
Ai tha se partitë nuk duhet që të shesin retorika boshe, por të tregojnë saktësisht se çka do të bëjnë në përmirësimin e cilësinë e jetës së qytetarëve në mënyrë që edhe të jemi konkurrentë në tregun evropian.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që partitë politike të pozicionohen dhe të deklarohen së paku gojarisht në këto ditë të fundit të fushatës se cila do jetë qasja e tyre ndaj mbrojtjes së konsumatorëve. Ata nuk e kanë përfshirë në programet e tyre politike, mirëpo është shumë e rëndësishme që ata të shprehen dhe të marrin një pozicion sa i takon mbrojtjes së konsumatorit, një tjetër element që ne shpresojmë që do të ndikojë është që vetë qytetarët pra ne u bëjmë thirrje që në fushatat qoftë në fushata të cilat janë të mbyllura dhe që jo gjithmonë respektojnë rregullat e Covidit, e qoftë nëpër marshet të cilat po organizohen, të marrin fjalën, të kërkojnë përgjegjësi, të njoftohen me planet e këtyre politikanëve sa i takon mbrojtjes së konsumatorit dhe të kërkojnë me ngulm që mbrojtja e konsumatorit të futet në agjendat politike të politikbërsve”.
“Deshëm apo nuk deshëm në procesin e integrimit evropian ne do duhej të respektojmë disa standarde, disa kritere në atë mënyrë që të jemi konkurrentë në tregun evropian”.