Abazi: Vjedhja e Thesarit nuk ishte sulm kibernetik

Njohësi i çështjeve të kibernetikës, Blerton Abazi, ka thënë se rasti i vjedhjes së 2 milionëve nga Thesari i Shtetit nuk është sulm kibernetik.
Abazi në Rubikon tha se kjo është një shkelje flagrante e zyrtarëve brenda Thesarit. Ai theksoi se në këtë rast nuk ka asgjë fiktive.
“Nuk është sulm kibernetik, por është një shkelje flagrante e autorizimeve të personave brenda institucionit për shkak se me një rast të tillë nuk kemi asgjë fiktive. Kemi një person me emër dhe mbiemër i cili e ka bërë ekzekutimin, i kemi katër përdorues të cilët ose janë ish ose janë punëtorë ekzistues të ministrive relevante dhe gjithashtu e kemi një operator ekonomik që është i regjistruar në Kosovë”.
“Do të thotë se nuk ka asgjë të fshehtë brenda kësaj. Çështja kryesore është thyerja e fjalëkalimeve të cilët kanë mundur të ndodhin brenda sistemeve”.
Njohësi i çështjeve të kibernetikës shtoi se një zyrtar, sikur i dyshuari Labinot Gruda, nuk mund të ketë autorizim për ndërrimin e fjalëkalimeve të sistemit.
“Nëse një zyrtar i Thesarit sikurse që është ai në një nivel më të ulët vetëm në ekzekutim të pagesave është e pamundshme të ketë autorizime për të ndërruar apo resetuar passworda të caktuar, ose nëse ka qasje të tillë duhet të auditohet komplet zinxhiri komandues deri tek administratori i cili ka dhënë qasje ose autorizim për të kryer pagesa të tilla”.
Sipas tij, ky rast është një vjedhje e organizuar mirë.
“Kjo që ka ndodhur në ministri është një model, një organizim, ose shkelje e autorizimeve shumë e strukturuar edhe e organizuar mirë. Nga hulumtimet e mediave del se kjo ka filluar prej muajit mars e deri tash që nënkupton se në këtë rast aktori ose sulmuesi, Labinot Gruda apo cilido tjetër, të cilët janë të dyshuar kanë bërë një analizë të sjelljeve të secilit individ brenda duke filluar prej atyre katër përdoruesve deri tek zyrtari çertifikues i pagesave që nënkupton se ekzekutimi prej nëntë minutash ka qenë gjithkah e përgatitur dhe është pritur momenti i caktuar që të vihet në lajthitje sistemi për t’u ekzekutuar”.