21:58 / E Mërkurë, 26 Janar 2022 / SH F

Abazoviq po refuzon mbledhjet e thirrura nga Krivokapiq

Në mbledhjen e sërishme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Malit të Zi nuk u paraqitën pesë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilët bojkotuan tubimin e djeshme, njoftoi kabineti i kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiq.

Në mbledhjen e sotme nuk është paraqitur edhe koordinatori i Shërbimeve të Sigurisë dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq.

“Është për t’u habitur që personat në pozita të tilla përgjegjëse nuk janë të interesuar të vënë në dispozicion të publikut të gjeturat rreth trazirave me rastin e kurorëzimit të Mitropolitit Joaniki më 5 shtator në Cetinje”, pohoi kryeministri.

Politikani shqiptar gjatë ditës së sotme ka udhëtuar drejt Beogradit, ku do ta takojë Patriarkun Porfir, raporton rtcg gjersa mediat shkruajnë se marrëdhëniet mes kryeministrit dhe zëvendësit të tij janë përkeqësuar deri në atë masë sa që po i shmangen edhe takimeve zyrtare.

Theksojmë se tash e disa javë është krijuar një krizë në institucionet malazeze teksa Abazoviq ka kërkuar krijimin e një qeverie të re malazeze ndërsa kryeministri po kërkon shkarkimin e zëvendëskryeministrit.

Ndryshe, Kuvendi i Malit të Zi ka përcaktuar tre seanca parlamentare gjatë muajit të shkurt që përfshijnë shkarkimin e Abazoviqit, shkurtimin e mandatit të Parlamentit dhe votëbesimi i Qeverisë