Abazoviqi ripërsërit: Qeveria e re e Malit të Zi do të mbajë një qëndrim të qartë pro-perëndimor

Qeveria e sapozgjedhur e Malit të Zi ka një qasje të qartë pro-perëndimore dhe do të jetë një partner i besueshëm në përmbushjen e detyrimeve të saj sipas agjendës evroatlantike, tha të hënën zëvendëskryeministri i vendit, Dritan Abazoviq, gjatë bisedës me të dërguarin e posaçëm të Departamentit të Shtetit për Ballkanin dhe zëvendës-ndihmës-sekretarin amerikan të shtetit, Matthew Palmer.
Siç njoftoi Zyra e Qeverisë, Abazoviqi, vuri në dukje, rëndësinë e mbështetjes që SHBA-ja vazhdimisht i jep Malit të Zi, në rrugën e demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.
“Qëllimi kryesor i Qeverisë së re është forcimi i shtetit ligjor dhe krijimi i institucioneve të forta. Mali i Zi mbetet i përkushtuar për bashkëpunim me partnerët perëndimorë si edhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në mënyrë që të krijojë një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë”, tha Abazoviqi.
Ai e njoftoi Matthew Palmerin edhe për kompetencat e zëvendëskryeministrit të ngarkuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe për planveprimin e Qeverisë së re në këtë drejtim.
Pas interesimit të Palmerit për kursin e politikës së jashtme të Qeverisë së re, zëvendëskryeministri Abazoviq përsëriti përpjekjet e forta të Qeverisë së Malit të Zi për të përmbushur të gjitha detyrat nga agjenda evroatlantike, duke theksuar se Mali i Zi mbetet i përkushtuar anëtarësimit në NATO.
“Kryeministri malazias, Zdravko Krivokapiq, do të udhëtojë nesër për në Bruksel si pjesë e vizitës së tij të parë zyrtare dhe pritet të takojë përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai do të konfirmojë më tej kursin e politikës së jashtme të Malit të Zi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Qeverisë së Malit të Zi./VOA.