23:31 / E Diele, 16 Prill 2023 / C E

Abde do të kthehet, Barcelona e gatshme për të shitur një nga sulmuesit e krahut

Ez Abde do të rikthehet te Barcelona pas përfundimit të këtij sezoni dhe pritet të jetë pjesë e ekipit të parë.

Marokeni po luan si i huazuar te Osasuna këtë sezon, aty ku ka shfaqur ndeshje të mira.

Abde ka shënuar pesë gola dhe regjistruar dy asistime në 27 ndeshje në të gjitha garat.

Ai u huazua te Osasuna me idenë për të pasur më shumë minuta, pasi Xavi ka në skuadër katër sulmues krahu; Ousmane Dembele, Raphinha, Ansu Fati dhe Ferran Torres.

Megjithatë, njëri prej tre të fundit të përmendur mund të largohet nga Barcelona gjatë verës.

Klubi që po përballet me probleme financiare duhet të mbledh para për sezonin e ardhshëm dhe ka parasysh largimin e njërit prej tyre; Raphinha, Fati ose Torres. Nëse ka ndonjë ofertë të mirë, thuhet se do të pranohet nga katalunasit, sipas “Marca”.

Dhe, si zëvendësues i mundshëm i njëri prej tyre shihet Abde, i cili do të rikthehej pas huazimit dhe nuk do t’i kushtonte Barçës.

Problemi do të vinte nëse në fund klubi nuk mund të shesë asnjërin nga këta tre futbollistë. Më pas vendimi do të përcaktohej nga ofertat që mund të vinin për Abden.

Për 21-vjeçarin thuhet se ka pasur interesim nga klubet angleze, për të cilat nuk do të ishte problem të paguanin për transferimin e tij.

Ez Abde, që ka kontratë të vlefshme me Barcelonën deri në verën e vitit 2027, besohet se do të mund të shitej për së paku 20 milionë euro.