Zyrtare: Agim Veliu nuk është më kryetar i degës së LDK-së në Podujevë

Kryetari i LDK’së Lumir Abdixhiku ka prezantuar kandidatët për kryetar komunash nga kjo parti, ku shumica janë emra të njohur dhe që janë aktualisht në krye të komunave.
E të gjitha kompetencat e degës së LDK-së në Podujevë i kanë kaluar kandidatit të kësaj partie për kryetar të kësaj komune, Ekrem Hysenit.
Kjo është konfirmuar nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Ai ka thënë se ky ka qenë vendim i kryesisë, pas mbledhjes që filloi në orën 18:00.
“Me vendim të kryesisë, kandidati për kryetar të Podujevës nga LDK është Ekrem Hyseni. Kryesia e LDK-së i ka kaluar të gjitha kompetencat e degës dhe shtabit zgjedhor dhe të garës në Podujevë. Vendime të njëjta do të jenë pothuajse në secilën komunë. Kjo me qëllim të reformimit edhe të degëve. Kompetencat i kanë kaluar kandidatit për kryetar të komuëns së Podujevës, nuk ka të bëjë me individ”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka shtuar se kryetari i deritanishëm i degës në Podujevë, Agim Veliu nuk ka shprehur interesim për të rikandiduar.
Veç kësaj, Abdixhiku konfirmoi se janë zyrtarizuar kandidaturat për Prishtinë, Podujevë, Pejë, Lipjan, Viti, Suharekë dhe për Vushtrri.
Disa nga kandidaturat e zyrtarizuara të LDK-së:
– Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama;
– Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni;
– Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri;
– Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala;
– Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti;
– Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha;
– Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti;
– Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri;./