75 Mall Live Search
19:59 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / Z S

Abdixhiku del në teren: Rruga A dhe Unaza e Brendshme e Prishtinës, po i afrohen përfundimit

“Rruga A dhe Unaza e Brendshme e Prishtinës po i afrohen përfundimit”.

Kështu ka shkruar në Facebook kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiu.

Ai tha se “për të ndjekur nga afër ritmin e shpejtë të punimeve, së bashku me Përparim Ramën dhe ekipin e tij”, vizituan sot këto dy punishte.

Postimi i plotë:

Rruga A dhe Unaza e Brendshme e Prishtinës nuk janë thjesht dy projekte komunale – janë ndërhyrje madhore urbane që ridefinojnë qytetin tonë në përmasat e një vizioni modern dhe të guximshëm.

Të dyja po i afrohen përfundimit.

Për të ndjekur nga afër ritmin e shpejtë të punimeve, së bashku me Përparim Ramën dhe ekipin e tij, vizituam sot këto dy punishte.

Rruga A – një kërkesë e kahershme – po bëhet realitet. Me gjashtë korsi të reja, kjo rrugë lidh Veternikun me Bregun e Diellit dhe Matin për vetëm pak minuta distancë. Përveçse shkarkon ndjeshëm trafikun e rënduar të Kryeqytetit, ajo do të bëhet shtëpi për dhjetëra mijëra banorë të rinj në një lagje të re e plot jetë – ashtu siç ndodhi me Rrugën B.

Ndërkohë, Unaza e Brendshme – një tjetër projekt i përmasave strategjike – krijon një korridor të ri të lëvizjes urbane nga Kodra e Trimave, përmes Arbërisë, deri në rrethrrotullimin për Fushë Kosovë e Mitrovicë. Me këtë, Prishtina fiton dy arterie qarkullimi që e çlirojnë qendrën si asnjëherë më parë.

Prishtina nuk ka nevojë për zgjidhje të vogla. Ka nevojë për vizion. Ka nevojë për njerëz që mendojnë dhe veprojnë në përmasa të mëdha.

Përparim Rama është i tillë – një vizionar që po i jep formë të ardhmes së Kryeqytetit.

Do të jemi bashkë në çdo punishte me të gjitha ekipet tona, secilën ditë, që t’i japim qytetit tonë projekte që lënë shenjë në kohë.

Sepse, Prishtina duhet me u dashtë!/Indeksonline/