75 Mall Live Search
11:45 / E Mërkurë, 25 Janar 2023 / LB

Abdixhiku del në treg: Qytetarët na thonë që kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dal këtë mëngjes në Prishtinë, në njërin nga tregjet e pemëve, perimeve e produkteve bazike.

Kreu i LDK-së ka thënë se me këtë pushtet, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Këtë mëngjes, në Prishtinë, në njërin nga tregjet e pemëve, perimeve e produkteve bazike, takova qytetarë që na thonë të njëjtën gjë: kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme.

Me këtë pushtet, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve. Përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20%, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50%. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka patur asnjëherë. Pavarësisht kësaj rritjeje, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe jetën e dinjitetshme që familjet kosovare e meritojnë.

Propozimet e LDK-së janë refuzuar deri më tani jo sepse nuk ishin adekuate, por sepse ishin të LDK-së.

Nuk mund të vazhdojmë kështu. Duhet të heqim TVSH-në në produktet bazike, të ulim çdo barrë tatimore tani, dhe t’i rrisim pagat në përputhje me inflacionin. Ky është plani i LDK-së, një plan në anën e familjeve dhe njerëzve punëtorë.