Abdixhiku: E panevojshme Kosova të ndajë para për Katedralen, ja kujt mund t’ia jap!
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixihku e ka quajtur të panevojshme ndarjen e mjeteve nga ana e Qeverisë “Haradinaj” për katedralen Notre Dame.
Sipas tij, Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës; as si substancë e as si simbolikë. Për Notre Dame janë mbledhur mbi 1 miliardë euro tashmë.
“Për paratë e Kosovës nevojë kanë ato dy vajza – njëra 2 vjeçe e tjetra 18 – fotot dhe lutjet e së cilave për ndihmë na shpërndahen gjithandej. Për këto para nevojë kanë dhe ato spitale që kërkojnë dorza sterile para secilës lindje. Për këto para – dhe shumë më shumë – nevojë kanë hallgjorët e Kosovës, qeveria e së cilëve ka vendosur të shitet “franquz””, ka shkruar ai, shkruan Indeksonline
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në forumin e nivelit të lartë për koordinimin e donacioneve të jashtme, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të ndajë mjete për rindërtimin e katedrales Notre Dame e cila u dogj dy ditë më parë.
Deri më tani, për rindërtimin e saj janë mbledhur rreth 1 miliard euro nga donatorë të ndryshëm.