Abdixhiku, Guerot dhe Troccaz flasin për sfidat e Kosovës, pas bllokadës institucionale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u takua me emisarin francez për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.
Takimi zuri vend në selinë qendrore të LDK-së, ku mori pjesë edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dhe u diskutua për çështje relevante në vend, shkruan IndeksOnline.
“Gjatë bisedës sonë diskutuam mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe situatën aktuale, veçanërisht sfidat me të cilat po përballet Kosova – nga bllokada institucionale deri te pasojat e qeverisjes populiste – si dhe qëndrimet e LDK-së karshi kësaj gjendjeje.
Theksova qartë se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mbështet praktika që dëmtojnë funksionimin kushtetues dhe normalitetin institucional të vendit. Ata që e kanë nisur këtë rrugëtim, duhet të marrin përgjegjësinë për krizat që i shkaktojnë me vetëdije”, deklaroi Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së u shprehu te dyve mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e saj shtetformuese, si edhe për rolin e rëndësishëm të saj në mbështetjen e integrimit evropian të Kosovës.