75 Mall Live Search
13:09 / E Mërkurë, 12 Prill 2023 / MSH

Abdixhiku i impresionuar me suksesin e “Termokos”, ofron mbështetje për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes

Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Termokos”, Fisnik Osmani me aksionaren e ndërmarrjes, Jeta Rafuna dhe kryesuesin e Bordit të Drejtorëve, Visar Vokrri, kanë pritur sot për vizitë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, i shoqëruar nga Visar Azemi dhe Berat Rukiqi.

Kryeshefi Osmani pasi ka falenderuar Abdixhikun për vizitën, e ka njoftuar atë me ecurinë e furnizimit me ngrohje për rreth 19 mijë konsumatorë, me projektet kapitale, që janë në proces realizimi si dhe projektet, që NP “Termokos” një nga ndërmarrjet më të suksesshme në vend, së shpejti, do të fillojë së realizuari, siç janë: “Solar4 Kosovo”, projekti për dyfishimin e kapaciteteve etj. 

Kryetari Abdixhiku është shprehur tejet i kënaqur me progresin e madh, që ka shënuar ndërmarrja kohëve të fundit. Ai ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje për modernizimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë. Më pas vizituan Departamentin e prodhimit, ku kanë parë për së afërmi gjithë procesin e pranimit të energjisë termike si rrjedhojë e sistemit modern të kogjenerimit, shpërndarjen e ngrohjes tek konsumatorët e ndërmarrjes dhe monitorimin e këtij procesi nga distanca.

Duke shprehur kënaqësinë e tij, për zhvillimin dhe modernizimin e ndërmarrjes, gjatë një bashkëbisedimi të afërt me punëtorët e ndërmarrjes, Abdixhiku është interesuar edhe për kushtet e punës për gjithë të punësuarit.

Kryeshefi Osmani me Abdixhikun kanë vizituar edhe sistemin e vjetër të prodhimit të ngrohjes nëpërmes kaldajave me mazut si dhe kanë monitoruar zhvillimin e punimeve për ndërtimin e dy rezervuareve të ngrohjes.

Në vazhdën e zhvillimit të hovshëm, NP “Termokos” mirëpret të gjithë të interesuarit për veprimtarinë e ndërmarrjes.